Von Cramon: Duket se Vuçiqi gënjeu rreth numrave të COVID-19 për t’u mbajtur zgjedhjet

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka akuzuar presidentin serb, Aleksandër Vuçiq se ka gënjyer rreth rasteve me COVID-19 para zgjedhjeve.


Sipas saj, pushteti ishte më i rëndësishëm se shëndeti i qytetarëve, ndërsa akuzoi edhe për dhunë brutale ndaj protestuesve të cilët mbrëmë mbushën sheshet duke kundërshtuar masat e reja.

“Duket se Vuçiqi gënjeu rreth numrave të COVID-19 për të pasur ‘zgjedhje’ të qeta. Ai nuk mund të fshihet pas shtimit të rasteve të reja dhe njerëzit e dinë se për të pushteti ishte më i rëndësishëm se shëndeti. Protesta të mëdha paqësore dje dhe ai po sulmon brutalisht protestuesit dhe kalimtarët”, shkroi ajo në Twitter.

Ndryshe, mijëra serbë protestuan pasi presidenti Aleksandër Vuçiq vendosi të rikthejë shtetrrethimin këtë fundjavë në Beograd. Turmat e zemëruara pushtuan sheshin përpara parlamentit duke kërkuar dorëheqjen e kreut të shtetit.

Me thirrjet “Hajdut”, “Turp”, “Dorëheqje” protestuesit tentuan të shpërthejnë dyert e parlamentit, disa prej tyre munden të hyjnë brenda por u përballen me forcat e policisë.

Qytetarët fajësojnë presidentin Vuçiq për rëndimin e situatës epidemiologjike në vend.

Related posts

Rriten çmimet e derivateve të naftës në Maqedoninë e Veriut

KFOR: Ishim të informuar për patrullimin e ushtrisë serbe pranë vijës kufitare

ZV/kryeministri i Malit të Zi: Kosova është krahinë e Serbisë