Këshilltarja e Kurtit për Luginë, Ardita Sinani, ka reaguar pas ndalesës që autoritetet serbe ia kanë bërë vizitës së ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla në Luginën e Preshevës.
Sinani ka thënë se derisa po bëheshin përgatitjet e fundit për mirëpritjen e vizitës së Ministrisë të Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, kanë marrë njoftimin se i është refuzuar kërkesa për vizitën e Sveçlës në Luginë.
Ajo mes tjerash ka shtuar se rasti i sotëm duhet të jetë këmbanë për autoritetet më të larta ndërkombëtare, sidomos për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-së ndaj çështjes së Luginës së Preshevës.
Reagimi i plotë i këshilltares së Kurtit për Luginë, Ardita Sinani në facebook:
Përderisa po bënim përgatitjet e fundit organizative për mirëpritjen e vizitës së Ministrit të Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës z. Xhelal Sveçla, morëm njoftimin se kjo vizitë u refuzua nga autoritetet e Republikës së Serbisë, edhe pse kërkesa nga ana e tyre ishte bërë në përputhje me marrëveshjen në Bruksel.
Përveç se Serbia nuk ia lejon shqiptarëve përdorimin zyrtar të simboleve kombëtare dhe një varg të drejtash tjera që i gëzojnë pakicat kudo në botë, sot Beogradi po shpërfaq se i pengon çfarëdo komunikimi dhe ndihme nga Qeveria e Kosovës.
Rasti i sotëm duhet të jetë këmbanë për autoritetet më të larta ndërkombëtare, sidomos Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian ndaj çështjes së Luginës së Preshevës.
Serbia ende nuk e ka gadishmërinë për tu përballur me realitetin e as për normalizim të raporteve me Kosovën.