SINANI: JEMI NË PRITJE TË SEANCËS SË RADHËS, NUK KA NJOFTIM SE DO TË SHPËRNDAHET KUVENDI

PreshevaPRESS ka raportuar e para se për shkak të përçarjeve rreth emrit të kandidatit të APN-së për deputet po shqyrtohet shtyrja e seancës së Kuvendit Komunal në Preshevë për datën 09.03.2020, gjë që u konfirmua më vonë si raportim i saktë.


Kryetari i Kuvendit të Preshevës, Sami Salihu, pas raportimit të PreshevaPRESS ka njoftuar shefat e grupeve të këshilltarëve në Kuvendin Komunal të Preshevës për shtyrjen e seancës së parë për vitin 2020. Seanca e thirrur për 02 mars është shtyre për 09 mars, tri ditë para afatit të fundit për shpërndarjen e kuvendit si pasojë e mos mbajtjes së një seance brenda afatit tremujorë, siç është përcaktuar me ligj.

Edhe pse seanca planifikohet të mbahet vetëm tri ditë para afatit ligjor për punën e Kuvendit Komunal, kryetarja e PVD-së në Preshevë, Ardita Sinani në një deklarim ekskluziv për PreshevaPRESS nuk e sheh këtë gjë si tentim për shpërndarjen e Kuvendit dhe instalimin e organit të përkohshëm në Preshevë.

“Përderisa dështoi mbajtja me 2 mars e seancës së thirrur nga kryetari i Kuvendit, atëherë ne jemi në pritje të seancës së radhës me 9 mars. Njoftimin zyrtar e kemi marrur nga kryetari i Kuvendit për këtë shtyrje. Pra, nuk kemi asnjë njoftim që po planifikohet ndonjë gjë tjetër, e as shpërndarja e Kuvendit.” ka thënë kryetarja e degës së PVD-së në Preshevë, Ardita Sinani për PreshevaPRESS.

Sinani rreth situatës së krijuar me shtyrjen e seancës së parë thotë se është pasojë e mosfunksionimit të qeverisjes lokale në Preshevë, dhe se jetëgjatësia e Kuvendit Komunal në Preshevë varet direkt nga atë të qeverisjes lokale.

“Shtyrja e seancave në kufijtë përfundimtar, e bën të qartë mosfunksionimi i qeverisjes lokale. Funksionaliteti i Kuvendit të Preshevës varet nga mosfunksionimi i qeverisjes, pra është e lidhur direkt me jetëgjatësinë e qeverisjes.” shton më tutje Sinani.

Sipas burimeve të PreshevaPRESS për raportimet në lidhje me shtyrjen e seancës nga data 2 mars në 9 mars, e që u konfirmuan të sakta, shtyrja e seancës është pasojë e përçarjeve brenda APN-së për emrin e kandidatit të kësaj partie për deputet në listën e përbashkët shqiptare në zgjedhjet parlamentare. Kryetarja e degës së PVD-së në Preshevë shton se Presheva po ballafaqohet me një qeverisje në mjegull dhe se PVD është e gatshme të përballet me çdo sfidë që është në të mirë të vendit dhe qytetarëve të Preshevës.

“Në rast se kemi vonesa në mbajtjen e seancës atëherë më 12 mars vije deri te shpërbërja e Kuvendit, ku dhe caktohet organi i përkohshëm. Presheva është duke u ballafaquar me një qeverisje në mjegull. Keqmenaxhimi dhe korrupsioni janë faktorët kryesor të mosfunksionimit të kësaj qeverisje. Ne si PVD jemi të gatshëm të përballemi me çdo sfidë që është në të mirë të vendit dhe qytetarëve.” përfundon Sinani deklarimin e saj ekskluziv për PreshevaPRESS.

Related posts

Publikohet lista e përfituesve në konkursin për masat e efikasitetit energjetik në Preshevë për vitin 2023

Dokument / Pozitat udhëheqëse që do të i takojnë Aleancës për Luginën në Komunën e Preshevës

KDNJ ka mbajtur tribunën “(Mos)integrimi i pakicës kombëtare shqiptare në Serbi”