Shqiprim Musliu: Tentim për tjetërsimin e çështjes shqiptare

Kryetari i Lëvizjes për Progres Demokratik (LPD), Shqiprim Musliu, e quajti vizitën e Berishës dhe mbështetësve të tij “një hap tjetër në tentimin për tjetërsimin e çështjes shqiptare në Luginë”.


Ai tha se në një kohë kur shqiptarët përballen me diskriminim të hapur, pasivizim adresash, mospunësim dhe mosnjohje diplomash, shfaqja e “shqiptarëve pro Beogradit” është përpjekje për të dobësuar kauzën shqiptare.

“Dokumentet bazë për ne mbeten platforma politike e vitit 2006, masat urgjente të 2013-ës dhe vendimet e vitit 2015 për reciprocitet, si vazhdimësi e referendumit të vitit 1992,” u shpreh Musliu.

Në vazhdim ju sjellim reagimin e plotë të Musliut në Facebook:

Defilimi i politikanëve serb e të mbështetur nga “shqiptarët pro Beogradit zyrtar” në Bujanoc, është një hap tjetër i tentimit për tjetërsimin e çështjeve politike që tash e tre dekada nuk kanë zgjidhje, sepse marrëveshjet politike të ndërmjetësuara edhe nga faktori ndërkombëtar që nga Marrëveshja e Konçulit e deri më sot, implementimi i të cilave as që po shihet në horizont.

Në kohën kur institucionet shtetërore diskriminojnë skajshmërisht shqiptarët, kur problemi i pasivizimit të adresave ka prekur kulmin, kur breza të tërë shpërngulen për mosnjohjen e diplomës, kur 30% e Rrethit të Pçinjës banohet me shqiptar, ndërsa punësimi i shqiptarëve nuk e kalon as 1% në institucionet shtetërore, sot dalin “shqiptarët e ndershëm bashkë me vazalët e tyre” që tentojnë të ndryshojnë qasjen ndaj këtyre problematikave thelbësore e jetike për shqiptarët në Luginë.

Përfaqësuesit e zgjedhur nëpërmjet Kuvendit të Këshilltarëve Shqiptar janë ato që do të vendosin për dokumentet politike, ashtu siç kanë vepruar që nga paslufta, me platformën politike të 2006-së, Masat urgjente për afirmimin e të drejtave të shqiptarëve të 2013-së si dhe vendimin për Asociacionin që në thelb ka parimin e Reciprocitetit të 2015-së. 

Për ne, këto janë dhe do të mbeten dokumentet bazë për integrim deri në bashkim të shprehur në referendumin e ‘92-së!

Related posts

Bora e parë vështirëson qarkullimin në rrugën Preshevë–Gjilan

Nxënësit evakuohen me urgjencë, kërcënime me bomba në shkolla në gjithë Serbinë

Faturat e rrymës nga ky muaj rriten për 6,6%, konsumatorët hyjnë më shpejt në “zonën e kuqe”