Shoqata “Dituria” në Preshevë ka organizuar diskutim mbi median dhe rolin e sajë në Luginë

Oplus_16908288

Në Kuvendin e Komunës së Preshevës është mbajtur tryezë e diskutimit në temën “Media si faktor ndryshimi në Luginën e Preshevës”.


Shoqata “Dituria” ka organizuar tryezë për diskutim në temën “Media si faktor ndryshimi në Luginën e Preshevës” në të cilën gazetarët kanë ndarë përvojat e tyre dhe arritjet në kuadër të projektit të Edukimit Mediatik.

Në këtë diskutim si panelist ishin Milaim Shefkiu, i cili është ushtrues detyre i kryeredaktorit në RTK, gazetari i televizionit publik të Kosovës me prejardhje nga Presheva, Alban Selimi, si dhe Fetije Kamberi, gazetare nga Presheva e cila punon në Tëvë1 në Prishtinë.

Gjatë këtij diskutimi u provua që gjatë bashkëbisedimit mes panelistëve dhe publikut nga Presheva e Bujanoci të analizohej roli i medias në Luginë dhe rajon, si dhe ndikimi i medias në krijimin e opinionit publik në vend dhe më gjerë.

Kjo ngjarje u organizua nga shoqata “Dituria” në kuadër të projektit Edukimi Mediatik.

Në vazhdim ju sjellim njoftimin e plotë të ndërlidhur me këtë aktivitet të publikuar nga organizatori në Facebook: 

Në sallën e Kuvendit Komunal në Preshevë, nën vëmendjen e shoqërisë civile, përfaqësuesve të institucioneve publike dhe private, nxënësve dhe qytetarëve, u mbajt një tryezë e rëndësishme diskutimi me temën “Media si faktor ndryshimi në Luginën e Preshevës”. Një takim ku fjala kishte peshë dhe mendimi u kthye në reflektim mbi rolin e informacionit dhe fuqinë e tij për të formësuar realitetin.

E moderuar nga gazetarja Dionesa Ebibi, diskutimi mblodhi emra të njohur të gazetarisë shqiptare: Milaim Shefkiu, kryeredaktor në RTK, Alban Selimi, redaktor i redaksisë hulumtuese në RTK, dhe Fetije Kamberi, gazetare në Teve1. Me përvojën e tyre shumëvjeçare, ata ndanë mendime e përvoja mbi mënyrën se si qytetarët e Preshevës dhe Bujanocit informohen, cilësinë e gazetarisë në rajon dhe sfidën e mungesës së mediave që përfaqësojnë realisht zërin e qytetarëve.

Në diskutim u theksua nevoja për një gazetari të mirëfilltë, për media që shkojnë përtej raportimit të thatë e burokratik dhe sjellin histori që prekin thelbin e jetës së përditshme. Pyetje të shumta u ngritën nga audienca, të cilat prekën çështje thelbësore të informimit, rolit të mediave sociale dhe sfidave të gazetarisë investigative në rajon. Gazetarët iu përgjigjën me shembuj konkretë nga puna e tyre, duke dhënë një pasqyrë të qartë mbi përgjegjësinë dhe sfidat që mbart ky profesion.

Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të projektit mbi edukimin mediatik, të organizuar nga Dituria me mbështetjen e Iniciativës Qytetare. Në përmbyllje të eventit, organizatori dhe zëri i aktivizmit në Luginë, Blerim Iseni, ndau certifikata për nxënësit që kishin qenë pjesë e projektit, duke vënë theksin te rëndësia e vazhdueshme e angazhimit qytetar.

Në një kohë ku informacioni është pushtet, ky diskutim shërbeu si një thirrje për një gazetari më të guximshme, më të vërtetë dhe më pranë qytetarit. Sepse media nuk është thjesht pasqyrë e realitetit, por një forcë që mund ta ndryshojë atë.

01. Mars 2025
Preshevë

Related posts

Pikë kalimi Miratoc – Llojan mbi 30 vite i mbyllur

KKSH në Preshevë ekspozon artefaktet e Referendumit të 1 dhe 2 marsit

Bëhen 33 vjet nga organizimi i Referendumit të 1 dhe 2 marsit