Shkollat e mesme në Preshevë hapin dyert për 308 nxënës të vitit të parë

Viti i ri shkollor në Preshevë pritet të nisë me 308 nxënës të rinj në shkollat e mesme, ndërsa regjistrimet do të zhvillohen në disa afate, duke filluar që nga fundi i muajit qershor deri në gusht.


Të premten, më 20 qershor, përfundon zyrtarisht viti shkollor për shkollat e mesme në komunën e Preshevës. Paralelisht, ka nisur përgatitja për regjistrimin e nxënësve të klasës së tetë që do të vazhdojnë arsimin e mesëm në dy institucionet vendore: Shkolla e Mesme Teknike “Presheva” dhe Gjimnazi “Skënderbeu”.

Regjistrimet në dy faza dhe drejtimet e ofruara

Në SHMT “Presheva”, regjistrimi do të realizohet në dy afate – në qershor dhe gusht. Ndërkohë, në gjimnazin “Skënderbeu”, afatet janë përcaktuar për muajt korrik dhe gusht.

Sipas pedagoges Mirvete Krasniqi nga SHMT “Presheva”, për këtë vit janë planifikuar gjithsej gjashtë paralele – pesë në gjuhën shqipe me gjithsej 240 nxënës, dhe një në gjuhën serbe me 28 nxënës. Drejtimet që ofrohen për regjistrim janë: Makineri, Elektroteknikë, Komunikacion, Ekonomi dhe Mjekësi.

Gjimnazi “Skënderbeu” përballet me sfidën e migrimit

Situata në Gjimnazin “Skënderbeu” është disi më sfiduese, për shkak të ndikimit të emigrimit në numrin e nxënësve.

Ushtruesja e detyrës së psikologes së këtij institucioni, Gresa Arifi, për PreshevaPRESS deklaroi se vitin e kaluar ishin regjistruar gjithsej 173 nxënës – 169 shqiptarë dhe 4 serbë. Megjithatë, rreth 19 nxënës të vitit të parë dhe mbi 50 në gjithë shkollën janë çregjistruar gjatë vitit, me arsyetimin se kanë migruar jashtë vendit.

Për këtë vit, sipas parashikimeve, pritet të regjistrohen rreth 140 nxënës shqiptarë dhe 3 nxënës serbë, megjithëse këto shifra janë ende të pasakta.

Procesi i pranimit dhe dokumentet e nevojshme

Pas përfundimit të klasës së tetë, nxënësit i nënshtrohen provimeve përfundimtare në gjuhën shqipe, matematikë dhe një lëndë zgjedhore, në përputhje me programin e shkollës fillore që kanë ndjekur. Rezultatet shpallen në platformën zyrtare të Ministrisë së Arsimit, dhe më pas vijon procesi i regjistrimit në shkollat e mesme.

Për regjistrim, nxënësit duhet të dorëzojnë dokumentet e mëposhtme:

  • Dëftesën e përfundimit të shkollës fillore
  • Certifikatën e lindjes
  • Vërtetimin mjekësor

Related posts

APN hrdh akuzat për tenderë në Preshevë – Mustafa për PreshevaPRESS: Shpifje të kulluara

Pak ditë deri në afatin përfundimtar për regjistrim e nxënësve në klasën e parë

Nënshkruhet memorandum bashkëpunimi mes KKSh-së dhe Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar

/