SHKA “Presheva” pasivizon aktivitetin për arsye të mos përkrahjes nga Komuna dhe KKSH

Shoqata Kulturo-Artistike “Presheva” ka njoftuar përmbylljen e vitit të shtatë të veprimtarisë së orkestrës së saj me një mesazh reflektues, duke bërë të ditur se pas gjashtë vitesh pune të pandërprerë, orkestra do të marrë një pauzë të përkohshme deri në sigurimin e një mbështetjeje të qëndrueshme institucionale.


Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të shoqatës në Facebook, thuhet se rrugëtimi i orkestrës ka qenë i mbushur me sfida, përkushtim dhe dashuri për kulturën shqiptare të Luginës së Preshevës.

“Kur nisëm këtë rrugëtim gjashtë vite më parë, e dinim se përpara nesh do të kishte sfida të shumta – sfida që kërkonin përkushtim, kohë dhe sakrificë, megjithatë, asnjëherë nuk u ndalëm së besuari në vlerën dhe rëndësinë e misionit tonë”, thuhet në njoftim.

Gjatë këtyre viteve, orkestra “Presheva” ka përfaqësuar qytetin në festivale e ngjarje të ndryshme brenda dhe jashtë rajonit, duke u pritur me duartrokitje dhe vlerësime.

Në njoftim theksohet se edhe këtë vit, puna e orkestrës është vlerësuar, përfshirë këtu edhe komentet pozitive dhe premtimet për mbështetje nga Kryetarja e Komunës së Preshevës dhe Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar.

Megjithatë, orkestra thekson se për të vazhduar më tej nevojitet më shumë se vlerësime morale.

“Na nevojitet mbështetje konkrete. Prandaj, pas gjashtë vitesh pune të pandërprerë dhe të pavarur, orkestra jonë do të marrë një pauzë të përkohshme, derisa të sigurohet një mbështetje e qëndrueshme dhe serioze për të vazhduar veprimtarinë tonë,” thuhet më tej në njoftimin e SHKA “Presheva”.

Në përmbyllje, njoftimi e cilëson këtë pauzë jo si fund, por si një thirrje për reflektim dhe përkrahje.

“Ne besojmë se kultura është një nga shtyllat kryesore të identitetit tonë kombëtar dhe duhet të mbështetet në mënyrë të qëndrueshme. Ne jemi gati të vazhdojmë – me më shumë pasion dhe përkushtim se kurrë – por tani është radha e institucioneve dhe e komunitetit që të tregojnë se kjo punë ka vërtet rëndësi.” thuhet në përfundim të njoftimit të publikuar nga Shoqata Kulturo-Artistike “Presheva” në faqen e saj në Facebook.

Related posts

Lamtumirë MTV! Fiken dritat e brezit të një kapitulli që mbyllet me muzikë në sfond

“Vetmi në Perëndim” është shfaqja e re e Teatrit të Qytetit të Preshevës, provat e të cilës kanë filluar

Reagon Parashqevi Simakut: Prej 10 muajsh emri im përdoret si tabelë qitjeje