Një zyrtare e lartë e Pentagonit ka paralajmëruar përsëri Turqinë për pasojat e blerjes së një sistemi të mbrojtjes raketore nga Rusia. Presioni i fundit amerikan ndaj Turqisë, bëhet pavarësisht vendosmërisë së deklaruar të Ankarasë për të realizuar marrëveshjen me rusët.
Ndihmës-sekretarja e mbrojtjes, Kathryn Wheelbarger, tha se blerja e sistemit të raketave S-400 nga ana e Turqisë, do të kishte një efekt “shkatërrues” për raportet e saj me aleatët tjerë të NATO-s, si dhe pjesëmarrjen e saj në programin e furnizimit me aeroplanë luftarakë të SHBA-së, F-35.
“Përfundimi i këtij transaksioni do të ishte shkatërrues, jo vetëm për programin F-35, në të cilin Perëndimi ka integruar aftësinë ajrore të modernizuar të saj, por kjo do të mund të shkëpuste ndërveprimin turk me NATO-n, një aspekt kyç i mbrojtjes së aleancës”, tha Wheelbarger gjatë një fjalimi në Këshillin Atlantik në Uashington.
“Le të jetë e qartë, S-400 është një sistem rus i projektuar për të rrëzuar një avion si F-35, dhe është e pakonceptueshme të imagjinohet se Rusia nuk përfiton nga kjo marrëveshje me Turqinë”, shtoi ajo.
Zyrtarja e lartë amerikane tërhoqi vërejtjen se nëse ky sistem rus integrohet në ndonjë vend aleat të NATO-s atëherë kjo e minon aftësinë e SHBA-së për të ndihmuar këto vende të mbrojnë veten e tyre.
Turqia, si anëtare e NATO-s, po merr pjesë në prodhimin e avionit luftarak amerikan për përdorim nga ushtarët e aleancës dhe ka në plan vetë të blejë 100 avionë luftarakë nga SHBA-ja.
Por, Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Ankaraja të heqë dorë nga marrëveshja për blerjen e sistemit rus dhe aleatët e NATO-s, gjithashtu, kanë shprehur shqetësime rreth kërcënimit të mundshëm që ky sistem paraqet për avionët luftarakë të prodhuar nga SHBA-ja.
Uashingtoni ka paralajmëruar Ankaranë se mund të përballet me sanksione nëse Turqia e vazhdon marrëveshjen me rusët.
Zyrtarët e SHBA-së kanë thënë, po ashtu, se kompanitë turke do të eliminohen nga puna e prodhimit që lidhet me programin e avionëve F-35.
Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, ka refuzuar të marrë në konsideratë anulimin e blerjes së raketave dhe e ka quajtur atë një “marrëveshje të kryer”. Ndërkaq, ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Hulusi Akar, ka thënë së fundmi se Turqia ka dërguar tashmë personel në Rusi për trajnimin në sistemin e raketave.