Në orët e pasdites të së shtunës, është ftuar seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit të Komunës së Preshevës.
Sekretariati i Kuvendit të Komunës së Preshevës, përmes një mesazhi celular (SMS) të dërguar shefave të grupeve të këshilltarëve të Kuvendit, ka ftuar seancë të jashtëzakonshme për ditën e diel me fillim në orën 8:00 në mëngjes.
Në mesazh thuhet se grupi i këshilltarëve të Alternativës për Ndryshim ka ftuar seancë të jashtëzakonshme për nesër, datë 23.07.2023, ditë e diel, me fillim në ora 08:00.
“Përshëndetje (emri i personit), për nesër më 23.07.2023 është ftuar seancë prej grupit të këshilltarëve të APN-së, duke filluar në ora 8:00. Me respekt, Sekretari i Kuvendit (emri).” është përmbajtja e mesazhit të dërguar disave prej këshilltarëve të Kuvendit të Komunës së Preshevës.
PreshevaPRESS me të marrë informacionin ka kontaktuar me dy këshilltarë të Alternativës për Ndryshim, për të konfirmuar nëse koalcioni APN-LR ka numrat e nevojshëm për të mbajtur seancën, mirëpo, asnjëri prej tyre nuk kanë pasur njohuri për konvokimin e seancës së jashtëzakonshme.