Mbrëmjen e të ejtes, më 18.07.2024, me ndërmjetësimin e Kurtit është arritur marrëveshja për bashkëqeverisje në Komunën e Preshevës mes PVD-së dhe PDSH-së.
Sipas marrëveshjes së nënshkruar PVD do të udhëheqë me ekzekutivin në mandat të plotë, derisa PDSH do të udhëheqë me legjislativin.
Përveç PVD-së dhe PDSH-së, si palë nënshkruese të marrëveshjes, në qeverisjen e Preshevës pjesëmarrëse do të jetë edhe Aleanca për Luginën, të cilës PVD do të i delegojë funksione nga resoret e saja, që iu kanë nda me marrëveshje.
PreshevaPRESS mëson se vetëm një ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes për bashkëqeverisje në Preshevë, janë paraqitur mosmarrëveshjet e para mes partnerëve.
Siçka mësuar PreshevaPRESS, përveç mosmarrëveshjeve të paraqitura me integrimin e Aleancës për Luginën nga ana e PVD-së në koalicion, brenda PDSH-së ka pakënaqësi me emrin e kandidatit për kryetar të Kuvendit të Komunës së Preshevës.
Burimet e PreshevaPRESS brënda PDSH-së bëjnë të ditur se nesër në seancën konstituive do të votohen 3 pikat e para të rendit të ditës, me ç’rast do të verifikohet mandatet e këshillëtarëve dhe më pas do të ndërpritet seanca, për të vazhduar të dielën.
Problemi i brendshëm i PDSH-së është rreth kandidatit për kryetar të Kuvendit të Komunës së Preshevës, e që sipas marrëveshjes së koalicionit i takon PDSH-së.
Siç mëson PreshevaPRESS, mediumi i vetëm i pavarur në Luginë, brenda Partisë Demokratike Shqiptare ka mospajtime për kandidaturën e kryetarit të Kuvendit të Preshevës, duke diskutuar mes emrit të dy këshilltarëve të këtij subjekti.
PreshevaPRESS ka mësuar se dy emrat e përfolur për kryetar të Kuvendit të Komunës së Preshevës nga radhët e PDSH-së janë Agim Sabedini dhe Naim Jashari, por ky informacion mbetet i pakonfirmuar ende.