RRETH 100 KËRKESA PËR DËMSHPËRBLIM NGA VËRSHIMET JANË PARAQITUR NË KOMUNËN E BUJANOCIT

Vërshimet e së hënës që kapluan një pjesë të madhe të komunës së Bujanocit pas veti kanë lënë shumë dëme, sikurse në parcelat bujqësore po ashtu edhe në ekonomitë familjare, këtë po e dëshmojnë edhe kërkesat e paraqitura në sektorin gjegjës në Administratën komunale për ti kompensuar dëmet e shkaktuara.


Administrata komunale që nga e marta një ditë pas vërshimeve menjëherë ka filluar të pranojë kërkesat e qytetarëve për kompensimin e dëmeve të shkaktuara të cilat janë prekur nga këto vërshime.

Deri më tani thuhet se janë paraqitur rreth 100 kërkesa për dëmshpërblim.
Besart Bakiu, nëpunës pranë Zyrës për Zhvillim Ekonomik Lokal tha se nga dita e martë kur është hapur ky aplikacion, janë paraqitur rreth 100 kërkesa nga ana e qytetarëve të cilët kanë pësuar dëme nga vërshimet.

Sipas Bakiut, të gjithë ata qytetar që janë përfshirë nga vërshimet e fundit nga të reshurat e shiut të ditës së hënë, obligohen që të paraqiten në godinën e komunës së Bujanocit në katin e tretë zyrën nr. 306, konkretisht në Zyrën për Zhvillim Ekonomik Lokal, për të plotësuar formularin dhe për të paraqitur dëmet.

Ata gjithashtu krahas dokumentacionit të nevojshëm duhet të kenë edhe letërnjoftimin e vlefshëm. Shtabi për situata emergjente në komunën e Bujanocit do të formoj komisionin për vlerësimin e dëmeve në bazë të kërkesave të paraqitura.

Nga ana tjetër edhe nga Zyra për mbrojtje dhe siguri pranë komunës së Bujanocit, thuhet se në afat prej 30 ditësh të gjithë qytetarët kanë të drejt ti drejtojnë kërkesat e tyre për dëmet e shkaktuara nga vërshimet.

Dëme të mëdha janë shkaktuar në disa lokacione në komunën e Bujanocit, ato më të prekurit janë fshati Konçul, Lluçan, Banja e Bujanocit, lagja Novo Nasele dhe fshati Levosojë.

Related posts

Publikohet lista e përfituesve në konkursin për masat e efikasitetit energjetik në Preshevë për vitin 2023

Dokument / Pozitat udhëheqëse që do të i takojnë Aleancës për Luginën në Komunën e Preshevës

KDNJ ka mbajtur tribunën “(Mos)integrimi i pakicës kombëtare shqiptare në Serbi”