Qeveria serbe për protestën në Bujanoc: Përpjekje për destabilizim të rajonit

Pas protestës së shqiptarëve në Luginë të Preshevës, ka reaguar Qeveria e Serbisë, e cila tha se tubimi i sotëm ishte përpjekje e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti “për të destabilizuar rajonin”.


“Arsyeja e vërtetë e tubimit të sotëm nuk është rrezikimi i të drejtave të shqiptarëve, por kalimi në opozitë i Shaip Kamberit, Nagip Arifit dhe Shqiprim Musliut në komunën e Bujanocit. Kur ishin në pushtet, nuk treguan interes për zgjidhjen e problemeve lokale të bashkëqytetarëve të tyre”, u tha në reagimin e Qeverisë serbe.

Qeveria e Serbisë i reagoi edhe deputetit Kamberi, duke thënë se akuzat e tij për diskriminimin e shqiptarëve dhe për përfaqësim të pamjaftueshëm në institucione nuk qëndrojnë, pasi “shembull në vitin 2023, në Qendrën Shëndetësore në Bujanoc, nga 45 punonjës të rinj të punësuar, 25 ishin shqiptarë, ndërsa dy mjeke nga Bujanoci u punësuan në Qendrën Shëndetësore të Vranjës vitin e kaluar”.

Sa i përket arsimit, Qeveria në Beograd tha se janë siguruar të gjitha tekstet shkollore në gjuhën shqipe për arsimin fillor dhe tani pritet që Këshilli Kombëtar i Shqiptar t’i miratojë që të nisë edhe procedura e shtypjes së teksteve shkollore për arsimin e mesëm.

Ndërkaq, duke folur për Planin 7-pikësh, Qeveria serbe tha se ajo u ndërpre nga deputeti i atëhershëm shqiptar në Kuvendin serb, Riza Halimi, në nëntor të vitit 2013.

“Pavarësisht thirrjeve të pasuksesshme të shumta të Qeverisë së Serbisë për vazhdimin e dialogut përmes Trupit Koordinues të Qeverisë së Republikës së Serbisë për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, shqiptarët nuk kanë reaguar, por në ndërkohë është ndërtuar një maternitet jashtëspitalor në Preshevë dhe ndërtesa e Departamentit të Fakultetit Ekonomik nga Subotica në Bujanoc në vitin 2015, të cilat ishin kërkesat e tyre nga Plani 7-pikësh”, u tha në reagim.

Related posts

Publikohet lista e përfituesve në konkursin për masat e efikasitetit energjetik në Preshevë për vitin 2023

Dokument / Pozitat udhëheqëse që do të i takojnë Aleancës për Luginën në Komunën e Preshevës

KDNJ ka mbajtur tribunën “(Mos)integrimi i pakicës kombëtare shqiptare në Serbi”