Qeveria Kurti ka emëruar vetëm 12 zëvendësministra: 6 ministri ende pa asnjë të tillë

Kabineti qeveritar i Albin Kurtit u votua më 3 shkurt në Kuvendin e Republikës. Qeveria e tij përbëhet nga 15 ministri. Edhe pse kanë kaluar një muaj që kur u formua qeveria Kurti, ministritë ende nuk janë kompletuar sa i përket numrit të zëvendësministrave. Gjashtë nga ministritë e kabinetit qeveritar ende nuk kanë asnjë zv/ministër.


Kryeministri Kurti në fushatën zgjedhore kishte premtuar reduktim të numrit të ministrive dhe zëvendësministrave. Ai e kishte kritikuar Ramush Haradinajn për emërimin e mbi 80 zëvendësministrave në qeverinë e tij, shkruan gazeta Express.

Albin Kurti në konferencën për media që kishte mbajtur së bashku me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa kishte njoftuar për marrëveshjen e koalicionit, ku ndër të tjera kishte deklaruar se ekzekutivi do të ketë 15 ministri e 33 zëvendësministra.

“Jemi dakorduar që në Qeverinë e ardhshme t’i kemi 15 ministri gjithsej, t’i kemi 2 zëvendëskryeministra dhe do të jenë diku rreth 33 zëvendësministra”, kishte thënë ai në konferencë.

Pasi mori postin e Kryeministrit, Kurti ndërroi mendje për numrin e zëvendësministrave, duke thënë se së shpejti do të emërohen 35 të tillë.

12 ministri janë ndarë në mes partnerëve të koalicionit, gjashtë për Vetëvendosjen dhe gjashtë për LDK-në, ndërkaq tri për komunitetet pakicë.

Nga 21 ministri sa kishte qeveria Haradinaj, 6 nga to janë shkrirë në ministritë përkatëse duke u reduktuar në 15.

Ministria e Diasporës në qeverinë e kaluar tani është bërë bashkë me Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë tani ka kaluar në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Ministria e Administratës Publike do të funksionojë në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Ndërkaq në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik janë fuzionuar tri ministri, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Tregtisë dhe Industrisë, Ndërmarrësisë e cila ishte së bashku me Inovacionin dhe Investimeve Strategjike e cila ishte në kuadër të Ministrisë së Diasporës.

Kurse Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit hapësinor ka kaluar në kuadër të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ambientit.

Gjashtë nga 15 ministritë ende nuk kanë asnjë zëvendësministër të emëruar.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike dhe Ministria e Shëndetësisë, Ministria për Komunitete dhe Kthim dhe ajo e Zhvillimit Rajonal ende nuk kanë zv/ministra.

Ndërkaq në ministritë ku janë emëruar më shumë se një zëvendësministër, njëri është nga Vetëvendosja dhe njëri nga LDK-ja.

Deri më tash vetëm tri ministri janë kompletuar me emërim të zv/ministrave, ministria e Arsimit që udhëhiqet nga Vlora Dumoshi, ministria e  Financave dhe Transfereve që drejtohet nga Besnik Bislimi dhe ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal që drejtohet nga Emilia Rexhepi.

Nga 35 zëvendësministra sa është premtuar se do të ketë qeveria e Kurtit, deri më tani janë emëruar 12 dhe kanë mbetur edhe 23 për t’u sistemuar në ministritë e mbetura.

Nga 12 zv/ministrat e emëruar, Vetëvendosja ka emëruar 7 dhe Lidhja Demokratike e Kosovës 5.

1.Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës-Glauk Konjufca(VV)-(pa zëvendësministër të emëruar)

2.Ministër i Integrimit Evropian-Blerim Reka(VV)-zëvendësministër Taulant Kryeziu(VV)

3.Ministre e Drejtësisë-Albulena Haxhiu(VV)-zëvendësministër Florian Dushi(LDK)

4.Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit-Hykmete Bajrami(LDK)-zëvendësministër Xhavit Rexhaj(LDK)-Jusuf Thaçi(VV)

5.Ministër i Financave dhe Transfereve-Besnik Bislimi(VV)-Agim Krasniqi(LDK)-Ilir Aliu(VV)

6.Ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike-Agim Veliu(LDK)-zëvendësministër Xhelal Sveçla(VV)

7.Ministre e Ekonomisë, Punësimit, Industrisë, Ndërmarrësisë, dhe e Investimeve Strategjike- Rozeta Hajdari(VV)-(pa zëvendësministër të emëruar)

8.Ministër i Mbrojtjes-Anton Quni(LDK)-(pa zëvendësministër të emëruar)

9.Ministër i Infrastrukturës dhe Ambientit-Lumir Abdixhiku(LDK)-zëvendësministër Avni Zogiani(VV)

10.Ministër i Shëndetësisë-Arben Vitia(VV)-(pa zëvendësministër të emëruar)

11.Ministër i Bujqësisë dhe Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural-Besian Mustafa(LDK)-zëvendësministër Imri Demelezi(VV)

12.Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit- Vlora Dumoshi(LDK)- zëvendësministër Ismet Beqiri(LDK)

13.Ministre e Administrimit dhe Pushtetit Lokal-Emilia Rexhepi(Partia e Re Demokratike NDS)-zëvendësministër Reshat Nurboja(VV)-Fatbardha Emini(LDK)

14.Ministër për Zhvillim Rajonal-Ivan Milojeviq(Lista Serbe)-(pa zv/ministër të emëruar)

15.Ministër për Komunitete dhe Kthim-Dalibor Jevtiq(Lista Serbe)-(pa zv/ministër të emëruar)

Related posts

Gjashtë lajme të rëndësishme nga Zvicra që duhet t’i lexoni këtë javë

Evropa shënon rekord të ri të popullsisë me mbi 450 milionë banorë

Tre shqiptar të vdekur dhe 4 të lënduar në një aksident të rëndë trafiku në Koblenz të Gjermanisë