Ish-komandanti i UÇK-së: Shërbimi i detyrueshëm ushtarak është ide e tejkaluar

Hisen Berisha, komandanti i njohur i luftës së Koshares, njëherësh ish-epror i lartë në Forcën e Sigurisë së Kosovës e ka komentuar idenë e kryeministrit Albin Kurti, që shërbimi ushtarak do të bëhet i detyrueshëm.


Berisha ka thënë se shërbimi i detyrueshëm ushtarak është ide e tejkaluar. Sipas tij, kjo do të ishte e mundur nëse do të kishte një edukim të qytetarëve në fushat e mbrojtjes.

“Mendoj se kjo ide është e tejkaluar jo vetëm për ne si Kosovë, por edhe të shteteve të rajonit dhe kjo do të kishte kuptim nëse pretendohet me edukimin e qytetarëve në fushat e mbrojtjes, të sigurisë, por jo të një sistemi të detyrueshëm ushtarak klasik ashtu siç është menduar apo pa ndonjë elaborim më të detajuar”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, Kosova ka nevojë për krijimin e kapaciteteve profesionale ushtarake dhe të një ushtrie profesioniste.

Ai e ka komentuar edhe zhvillimin profesional të Ushtrisë së Kosovës.

Berisha tha se oficerët që dalin nga akademia mbrojtëse do t’i përmbushin pritjet e partnerëve strategjik dhe sipas tij Kosova shumë shpejt do të jetë pjesë e organizatave të rëndësishme të sigurisë.

“Besoj se me oficerët që po dalin nga akademia e mbrojtjes dhe me ushtarët që kanë një program trajnues shumë profesional dhe me lidershipin ushtarak ne do t’i përmbushim pritjet e partnerëve strategjik dhe Kosova shumë shpejt do të jetë pjesë e integrimeve evropiane dhe ndërkombëtare”

Më tutje ai theksoi se forca ushtarake është një projekt i mbështetur nga ShBA dhe është një proces i pakthyeshëm.

“Qeveria Kurti ka programin e vet me të cilin besoj se do ta determinojë me faktor dhe procese që e determinojnë procesin përgjithësisht në Kosovë, por sa i përket forcës dhe kapaciteteve ushtarake cilado qeveri qoftë, ky është një projekt i mbështetur nga SHBA drejtpërdrejt nga një bashkëpunim përmes një marrëveshje mbi statusin e forcës dhe është një proces i pakthyeshëm”.

Ai gjithashtu ka një porosi për bashkëpunëtorët e tij që në të ardhmen të ketë një sistem të kontrollit ajror që të bartë emrin e Sali Çekut, dhe një sistem mbrojtës kundër raketor që të mbart emrin e Adem Jasharit.

“Ëndrra ime dhe amaneti im që do ta mbart vazhdimisht të kolegët e mi dhe bashkëpunëtorët e mi në forcë është që në të ardhmen të kemi një sistem të kontrollit ajror, radarëve që do të bartnin emrin e Sali Çekut dhe një sistem të mbrojtjes kundër raketore që do të mbarte emrin e Adem Jasharit”

Meqë jemi në ditët e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ai e ka vlerësuar lart kontributin e familjes Jashari dhe të të gjithë të rënëve për liri.

“Çdo periudhë e historisë i ka heronjtë e vet ashtu edhe etapa e periudhës së sakrificës së viteve 90-ta i ka edhe familjet që sakrifikuan që janë emblemë e sakrificës tonë, siç janë familja Jashari e shumë vende tjera . Çdo etapë i ka figurat e veta emblematike. E tillë është edhe familja e komandantit Adem Jashari, e shumë prijës të tjerë si Sali Ceku, Zahir Pajaziti, Agim Ramadani, Sadri Zeneli, Vëllezërit Haradinaj e të tjerë”, tha Berisha.

Ai ka thënë se në këtë përvjetor do të duhej të kishim arritje më të cilat familjet e dëshmorëve dhe të të gjithë atyre që sakrifikuan do të ndjeheshin të kënaqur.

” Shpresojmë por edhe pritjet e mia janë se duke qenë pjesë e përgjegjësisë dhe procesit të krijimit të projektit të Forcave të Armatosura të Kosovës dhe shumë shpejt me mbështetjen politike dhe monetare të institucioneve, Kosova shumë shpejt t’i konsolidojë forcat e veta të armatosura dhe të jenë një mekanizëm i besueshëm dhe stabil për sigurimin dhe sistemin e sigurisë në vendin tonë”, tha ai për EO.

Related posts

Austria mbyll 24 vendkalime kufitare me Hungarinë dhe Sllovakinë

Mbi pesë vjet burgim për shqiptarin në Zvicër që hodhi në erë bankomatin

BE-ja përgatitet për tarifa të mundshme amerikane

/