PËRUROHET OBJEKTI I RENOVUAR I STACIONIT SHËNDETËSORË NË MIRATOC

Fshati Miratoc i Preshevës është bërë me objekt të rinovuar të stacionit shëndetësorë që do tu shërbejë banorëve për lehtësimin e vizitave mjekësore. Ky objekt nuk ka punuar prej muajit maj të vitit të kaluar kur edhe ka nisur renovimi i tij.


Qytetarët e kësaj bashkësie lokale kanë arritur këtu për të parë ceremoninë e inaugurimin të këtij stacioni shëndetësorë. Ata po prisnin kryetarin e komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, i cili pas pak pritjeje arriti para stacionit shëndetësorë bashkë me stafin e tij dhe drejtorin e Shtëpisë së Shëndetit në Preshevë.

Fjalën i pari e mori kryetari i bashkësisë lokale Miratoc, Sedat Isamili, i cili tha se kjo është ditë e veçantë për banorët e këtushëm, por nuk munguan edhe fjalët e lëvdatës për udhëheqësit e komunës. Lëvdatat dhe falënderimet për kryetarin e Komunës së Preshevës, nuk i kurseu as drejtori i Shtëpisë së Shëndetit në Preshevë, Driton Salihu.

Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, derisa i falënderoi të pranishmit për prezencën e tyre dhe drejtorin e Shtepisë së Shëndetit në Preshevë për bashkëpunimin e deritanishëm, vuri në pah se renovimi i këtij objekti është pjesë e strategjisë së përgjithshme të vetëqeverisjes lokale në sferën e shëndetësisë, duke potencuar rëndësinë e veçantë  të këtij objekti edhe në situatën e rënduar për shkak të pandemisë.

“I dëshiroj stafit mjekësorë këtu punë të mirë, të cilët me siguri, tani, në këto kushte do ta kenë në krahasim me atë më herët, dhe dëshiroj që qytetarët të e shfrytëzojnë këtë objekt në të mirë, e ta ruajnë dhe mirëmbajnë gjithashtu” tha kryetari Arifi mes tjerash gjatë fjalimit të tij.

Në këtë stacion shëndetësorë punojnë gjashtë punonjës, të cilët do të kujdesën që qytetarët të marrin kujdesin e duhur. Kjo qendrës ofron shërbime shëndetësore të praksës së përgjithshme dhe stomatologjisë.

“Kushtet janë përmirësuar dukshëm në objektin e stacionit shëndetësorë, e që nënkupton se banorët e fshatit Miratoc do të munden të marrin shërbime më të mira në të ardhmen në lidhje me sëmundjet akute, kronike e kështu me radhë” tha për PreshevaPRESS udhëheqësi i stacionit shëndetësorë në Miratoc, Muhamer Daliu.

Pas prerjes së shiritit, kryetari i bashkësisë lokale të Miratocit ndau mirënjohje për kryetarin e Komunës së Preshevës, drejtorin e Shtëpisë së Shëndetit, si dhe për disa punonjës të këtij stacioni shëndetësorë në shenjë falënderimi për kontributin e tyre shumëvjeçar. Pas pjesës zyrtare nuk mungoi edhe pak festë.

Related posts

Komuna e Bujanocit vendosë partneritet me Haraçinën

Sinani ka pritur në takim shefin e zyres së Osbe-së në Bujanoc

Në Preshevë fillon grumbullimin e qenve endacak