Përgatitjet e NATO-s për një luftë të re

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë nga Rusia, vendet e aleancës së NATO-s kanë filluar të përgatiten për një luftë potenciale nga agresori rus. Në mesin e këtyre përpjekjeve është edhe rekrutimi i trupave për ushtri. Mos regjistrimi në ushtri në disa vende mund të rezultojë në gjoba e në disa të tjera edhe me burgim. Me rekrutimin si temë jo e pëlqyer në disa vende, NATO-ja po lufton ta arrijë qëllimin e të pasurit 300 mijë trupa të personelit të gatshëm për t’u aktivizuar brenda një muaji dhe gjysmë milioni të tjerë brenda gjashtë muajve.


Para se Rusia ta niste pushtimin e plotë të Ukrainës, shumë, duke përfshirë Kievin, ishin skeptikë që një luftë e madhe mund të rikthehej në Evropë. Më shumë se dy vjet në luftë, një ndryshim tjetër, dikur i paimagjinueshëm, tani është duke u zhvilluar për rekrutimin.

Disa shtete evropiane kanë rifutur ose zgjeruar shërbimin e detyrueshëm ushtarak mes kërcënimit në rritje të Moskës, pjesë e politikave që synojnë forcimin e mbrojtjes.

“Ne e kemi vërejtur që mund të na duhet ta rregullojmë mënyrën se si mobilizohemi për luftë dhe mënyrën se si i prodhojmë pajisjet ushtarake dhe rekrutojmë e trajnojmë personelin”, ka thënë Robert Hamilton, kreu i hulumtimeve euroaziatike në Institutin Kërkimor të Politikave të Jashtme. “Është tragjikisht e vërtetë që jemi këtu, në vitin 2024 dhe jemi duke ngritur pyetje se si t’i mobilizojmë miliona njerëz për t’i dërguar potencialisht në luftë, por në këtë pozitë na ka vendosur Rusia”.

Rreziku për një luftë më të gjerë në Evropë është rritur pasi presidenti rus Vladimir Putin nisi pushtimin e Ukrainës, duke ndjekur synimin e tij për ta “rikrijuar perandorinë sovjetike”, ka thënë Wesley Clark, i cili ka shërbyer si komandant suprem i NATO-s në Evropë.

“Prandaj tani kemi luftë në Evropë, të cilën kemi menduar se nuk do ta shohim më”, ka thënë Clark, i cili i ka udhëhequr forcat e NATO-s gjatë luftës në Kosovë. “Është e paqartë nëse kjo është luftë e re e ftohtë apo luftë e nxehtë në zhvillim”, ka shtuar ai, por “është paralajmërim i qartë për NATO-n që ne duhet ta rindërtojmë mbrojtjen”.

“Në përpjekje përfshihet rekrutimi”, ka thënë ai.

Kthimi i rekrutimit nënvizon realitetin e ri

Një numër i vendeve evropiane e kanë ndaluar rekrutimin pas luftës së ftohtë, por disa shtete.
– Sidomos në Skandinavi dhe Baltik – e kanë rikthyer viteve të fundit, kryesisht për shkak të kërcënimit rus. Mosregjistrimi në ushtri në disa vende mund të rezultojë në gjoba e në disa të tjera edhe me burgim.

Letonia është vendi i fundit që ka rikthyer rekrutimin. Shërbimi i detyrueshëm ushtarak është rikthyer më 1 janar këtë vit, pasi ishte ndaluar më 2006-n. Djemtë rekrutohen brenda 12 muajve pasi arrijnë moshën 18-vjeçare, ose pas diplomimit për ata që janë në sistemin arsimor.

“Në fillim ka pasur mjaft refuzim”, ka thënë Arturs Pilacis, student 20-vjeçar. Ai akoma nuk ka shkuar të rekrutohet, por vullnetarisht ka shkuar në një kurs njëmujor ushtarak.

Por në fund, “nevoja për shërbim në mbrojtje të shtetit ka qenë e qartë”, ka thënë ai. “Nuk ka pasur opsion tjetër ku mund të qëndroje dhe të mendoje se gjërat do të jenë siç kanë qenë para agresionit në Ukrainë”.

Në prill Norvegjia prezantoi planin ambicioz afatgjatë që gati do ta dyfishojë buxhetin për mbrojtje dhe të shtojë më shumë se 20 mijë ushtarë dhe punonjës për forcat e armatosura.

“Kemi nevojë për mbrojtje që është e përshtatshme për qëllime të sigurisë së vendit”, ka thënë kryeministri Jonas Gahr Store.

Regjistrimi në Norvegji është i detyrueshëm dhe në vitin 2015 u bë anëtarja e parë e aleancës së mbrojtjes së NATO-s që rekruton në mënyrë të barabartë të dy gjinitë.

Studenti i ekonomisë Jens Bartnes, 26-vjeçar, e ka përfunduar shërbimin ushtarak në moshën 19-vjeçare. “Jam i lumtur që e kam bërë, kam mësuar shumë nga ai vit – për veten time, për limitet dhe aftësitë fizike dhe mentale supozoj, por gjithashtu për punën në grup. Është lloj tjetër i jetës”, ka thënë ai. “Jam në gjendje të luftoj për vendit tim nëse ka nevojë, sepse besoj në vlerat që ka ndërtuar shoqëria norvegjeze dhe besoj se për këto vlera të përfshirjes, barazisë dhe demokracisë ia vlen të luftosh”, ka shtuar Bartnes.

Max Henrik Arvidson, 25-vjeçar, është regjistruar në ushtrinë norvegjeze mes viteve 2019 dhe 2020. Sikur Bartnes, ai e sheh shërbimin ushtarak si detyrë të rëndësishme.

“E di se mënyra e vetme që mund të qëndrojmë kundër agresionit rus është nëse vazhdojmë ta furnizojmë Ukrainën me armë dhe ndihma, duke qëndruar të fortë së bashku me NATO-n dhe Bashkimin Evropian”.

“Ndryshim i madh mental”

Debatet për rekrutim kanë ndodhur gjithashtu në të gjitha vendet e tjera evropiane që për momentin nuk e kërkojnë. Në Mbretërinë e Bashkuar konservatorët e kanë përdorur idenë e shërbimit ushtarak në fushatën e tyre të zgjedhjeve.

Por ndoshta transformimi më i befasishëm është duke ndodhur në Gjermani, e cila që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore ka pasur neveri ndaj militarizimit. Që nga lufta e ftoftë, për herë të parë Gjermania ka zhvilluar planin në rast të fillimit të konfliktit në Evropë dhe ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ka prezantuar një propozim në qershor për një shërbim të ri ushtarak vullnetar.

“Duhet të jemi gati për luftë deri në vitin 2029”, ka thënë ai.

“Jemi duke e parë se sa i flakët është debati. Dhe ky është hapi i parë”, ka thënë Sean Monaghan, bashkëpunëtor i jashtëm në Programin e Evropës, Rusisë dhe Euroazisë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare. “Kjo nuk ndodh brenda natës, është ndryshim i madh mental”.

Jo gjithkush është gati t’i përgjigjet thirrjes.

Në Lituani opinionet për shërbimin ushtarak mes studentëve ndryshojnë, ka thënë Paulius Vaitiekus, president i Bashkimit Kombëtar të Studentëve të Lituanisë.

Që kur vendi ka rivendosur shërbimin e detyrueshëm ushtarak në vitin 2015 për shkak të “ndryshimit të situatës gjeopolitike”, rreth 3500 deri në 4000 lituanë të moshave 18 deri në 26 janë regjistruar çdo vit, për një periudhë prej nëntë muajsh.

Vaitiekus ka thënë se studentët kanë nisur iniciativa për të dërguar furnizime në vijën e frontit ukrainas. Ka pasur “ndryshim të mendimit të rinisë drejt të qenit më aktivë, edhe pse jo domosdoshmërish përmes rekrutimit”, ka shtuar ai.

Me rekrutimin si temë jo e pëlqyer në disa vende, NATO-ja po lufton ta arrijë qëllimin e të pasurit 300 mijë trupa të gatshëm për t’u aktivizuar brenda një muaji dhe gjysmë milioni të tjerë brenda gjashtë muajve, ka thënë Monaghan.

“Ndërsa NATO-ja ka thënë se e ka arritur qëllimin e vet, BE-ja ka thënë se anëtarët e saj do të hasin në probleme. NATO-ja varet te forcat amerikane ta arrijë qëllimin e saj. Aleatët evropianë kanë nevojë për mënyra të reja për të gjetur personel. Diçka duhet të bëhet këtu”, ka thënë ai. Një problem tjetër është se ky qëllim do e lejonte NATO-n të luftojë vetëm në një konflikt të shkurtër deri në gjashtë muaj, ka shtuar Monaghani.

Modelet e forcave strategjike rezervë

Zgjidhje e mundshme është ushtria më e shkathët dhe moderne.

Një nga anëtaret më të reja të NATO-s, Finlanda, ka kapacitetin të aktivizojë më shumë se 900 mijë ushtarë, me 280 mijë personel ushtarak të gatshëm të përgjigjet menjëherë nëse është e nevojshme. Megjithatë, gjatë kohës së paqes, Forcat e Mbrojtjes Finlandeze punësojnë vetëm rreth 13 mijë njerëz, duke e përfshirë stafin civil.

“Finlanda është shembull i mirë” ndërsa forcat rezervë mund të vendosen në një forcë shumë të vogël aktive, ka thënë Hamiltoni. Historikisht, ka shpjeguar ai, Finlanda ka qenë e bllokuar” mes NATO-s dhe Bashkimit Sovjetik, pa lidhje me asnjërën, duke iu dashur të mbrohet vet.

Norvegjia dhe Suedia, anëtarja më e re e NATO-s, kanë modele të ngjashme, duke mbajtur numra të konsiderueshëm të ushtarëve, edhe pse jo sa Finlanda.

Suedia, ku rekrutimi tani nuk është i bazuar në gjini, ka bërë thirrje për rreth 7000 persona në vitin 2024. Numrat do të rriten në 8000 në vitin 2025, sipas Forcave të Armatosura Suedeze.

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, “çfarë shohim është se si dija ashtu edhe qëndrimi kanë ndryshuar”, ka thënë ajo.

“Suedia ka rekrutuar që nga viti 1901, prandaj është pjesë e kulturës në një mënyrë”, ka thënë Marinette Nyh Radebo, menaxher komunikimi në agjencinë që ndihmon rekrutët te Ministria e Mbrojtjes.

“Kur është aktivizuar rekrutimi përsëri, në fillim, kemi thënë se rekrutimi është gjë e mirë për CV-në, për të aplikuar për një punë të re për shembull”, ka thënë Radebo. Por sot komunikimet tona janë më shumë si, kjo është detyrë që duhet ta bëjmë për Suedinë.

A është NATO-ja e gatshme për luftë?

Aleanca e NATO-s e ka rishikuar strategjinë e saj dhe i ka shtuar aftësitë gjatë dekadës së fundit në përgjigje të kërcënimit në rritje nga Moska.

Fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, e ndjekur nga mbështetja e separatistëve pro-rusë në Ukrainën lindore dhe aneksimi ilegal i Krimesë në vitin 2014, në mënyrë të pashmangshme i ka shtyrë aleatët të rivlerësojnë nëse janë të gatshëm për luftë dhe ta forcojnë mbrojtjen e tyre.

“Që nga 2014- a, NATO-ja ka kaluar në një transformim të rëndësishëm në mbrojtjen tonë kolektive në një brez”, ka thënë Farah Dakhlallah, zëdhënëse e NATO-s. “Ne kemi vënë në zbatim planet më gjithëpërfshirëse të mbrojtjes që nga Lufta e Ftohtë, me më shumë se 500 mijë trupa aktualisht në gatishmëri të lartë”.

Por ka thirrje për aleatët t’i rrisin aftësitë tutje dhe me shpejtësi.

Ndërsa aleatët e NATO-s “janë gati të luftojnë sonte”, ka akoma pyetje nëse janë të gatshëm për luftë të tillë si ajo në Ukrainë, ka thënë Monaghan, duke vënë në dukje se ka akoma punë për të bërë në disa zona. Këto përfshijnë aftësitë industriale, shpenzimet e mbrojtjes dhe qëndrueshmërinë shoqërore – ku vjen edhe pyetja e rekrutimit.

Mënyra se si personeli ushtarak rekrutohet dhe trajnohet është vendim i kombeve individuale, ka thënë Dakhlallah, duke shtuar se “gati një e treta e anëtarëve të NATO-s ka një formë të detyrueshme të shërbimit ushtarak”.

“Disa aleatë janë duke i dhënë rëndësi rekrutimit. Megjithatë, si aleancë nuk kemi nevojë të vendosim shërbim të detyrueshëm ushtarak”, ka thënë Dakhlallah. “Gjëja e rëndësishme është që aleanca të vazhdojë të ketë forca të armatosura për ta mbrojtur territorin dhe popullatat tona”.

Përveç luftimeve në Ukrainë, Rusia ka nisur edhe një luftë hibride në Evropë, sipas ekspertëve, që përfshin sulme në infrastrukturë, sulme kibernetike, dezinformim, sabotim, ndërhyrje në zgjedhje dhe përdorim të migrimit si armë.

“Kjo është bërë më agresive”, ka thënë Monaghan. “Çka ka mbetur të thuhet është se aleatët e NATO-s përballen me situata shumë të ndryshme gjeopolitike në krahasim me dekadat e kaluara”.

Situata mund të komplikohet tutje nga zgjedhjet presidenciale amerikane në nëntor. Gjërat do të bëhet ndryshe nëse ish-presidenti Donald Trump – i cili ka thënë se do ta inkurajonte Rusinë për të “bërë çfarë dreqi do” me vendet e NATO-s që nuk përmbushin rregullat e bllokut për shpenzimit në mbrojtje – kthehet në Shtëpinë e Bardhë.

“Mendoj se ka kuptueshmëri mes liderëve ushtarakë të NATO-s që ata duhet të bashkëpunojnë dhe se ka dëshirë për ta bërë atë”, ka thënë Clark.

Ky vit ka parë veteranët e Luftës së Dytë Botërore të mblidhen për përkujtimin e Ditës D për herë të fundit. Pasardhësve të tyre mund t’u duhet ta marrin përgjegjësinë që është shpresuar të mos nevojitet më kurrë.

“Mendoj se njerëzit e rinj në Evropë dhe SHBA-ja duhet ta kuptojnë se kjo gjeneratë, si gjeneratat që kanë luftuar në Luftën e Dytë Botërore, nuk ka kërkuar të bëhet ‘Gjenerata më e mirë’, por rrethanat e ngarkojnë atë barrë mbi ta”, ka thënë Clark. “Në demokraci nuk kemi nevojë të përgatitemi për luftë, nuk duam t’i mendojmë këto gjëra. Gjithsesi mendoj se njerëzit do të flasin për rrethanat që i shohin”./Koha

Related posts

Donald Trump drejt fitores në zgjedhje

Avionët e parë luftarakë F-16 mbërrijnë në Ukrainë

Izraeli: Konfirmohet vrasja e liderit ushtarak të Hamasit, Deif