PDSH: 1 MARSI ME RËNDËSI JETIKE PËR LUGINËN SHQIPTARE

Me rastin e 27 vjetorit të mbajtjes së Referendumit për Autonomi Politiko-Territoriale me të drejtë bashkangjitje Kosovës, PDSH-ja, kujton këtë datë me rëndësi jetike për popullatën autoktone shqiptare të Luginës së Preshevës, të populluar me shumicë absolute shqiptare. Këto tri komuna shqiptare të shkëputura padrejtësisht nga trungu i Kosovës historike, u ndanë dhe u aneksuan nga Serbia.

Para 27 viteve, për dy ditë rresht në vitin 1992, populli shqiptar i komunave të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, e dha verdiktin e tij, duke dalur masivisht në kutiat e votimeve, duke u shprehur pro bashkangjitjes së këtyre tre komunave Kosovës. Ky Referendum ishte një akt sublim, i cili u mbajt nën kushte tejet të rënda, lirisht mund të shprehemi në një gjendje të jashtëzakonshme, nën rrethim të çelikosur të forcave policore të pushtetit të atëhershëm, por vullneti i popullit i tejkaloi të gjitha vështirësitë e barrierat e krijuara nga pushteti, i cili si duket nuk e mori seriozisht këtë dëshirë të flaktë, të arsyeshme dhe të drejtë të popullatës, të cilët e dhanë mendimin e tyre pro ribashkimit të kësaj pjese të shkëputur nga Kosova.

Të dashur qytetarë të komunës së Preshevës, duke e rikujtuar këtë datë, e cila vulosi një histori të shqiptarëve të këtyre tre komunave, medoemos duhet kujtuar edhe kontributin e madh që dha PDSH-ja në organizimin e Referendumit, e cila në asnjë çast nuk u ndal së punuari në jetësimin e verdiktit të popullit, nuk u ndal poashtu edhe në sensibilizimin e të drejtave kolektive të popullatës sonë, në secilin segment të jetës, duke mos marrë pjesë në strukturat e parlamentit të Serbisë, sepse po ajo Serbi ishte, është dhe për fat të keq do të jetë faktori kryesor i destabilizimit politik të shqiptarëve, me të gjithë ata që e ndihmuan dhe po e ndihmojnë akoma në prishje të rendit politik kombëtar këtu tek ne, duke ia bërë të mundur plotësimin e kritereve për t’i kaluar sa më lehtë kapitujt që duhen përmbushur për t’u futur në BE.

Duke i parë përditshmëritë politike në komunën tonë, duke e parë ndërhyrjen shtetrore serbe në instalimin e një politike pro serbe të kohës së fundit me tendencë kontaminimi të politikës shqiptare autoktone dhe qëndrimit të saj, e proklamuar në shumë deklarata kundër Referendumit, sikur është akt politik i stërvetjetëruar, kundër vullnetit të shprehur të popullatës shqiptare me mbi 96% të dalur nëpër vendvotime, madje dhe kundër UÇPMB-së dhe kundër bashkangjitjes me Kosovën, në mënyrë flagrante shkilet mbi aktin më të lartë të një populli, duke u përpjekur ndrrimin e mendësisë dhe për t’i kthyer shqiptarët kryekëput kah Serbia, e cila ia ka mohuar dhe po ua mohon të gjitha të drejtat elementare shqiptarëve.

PDSH-ja do ta mbrojë me çdo kusht Referendumin e 1 e 2 marsit të vitit 1992 dhe nuk do të lejojë t’a nëpërkëmbin ata që po punojnë në degradimin dhe shfuqizimin e tij, duke u munduar që me politikën e tyre ta kolonizojnë Preshevën tonë të dashur me paramilitarë serbë nga vende të tjera, të cilët kanë kryer krime lufte ndaj popullatës së pafajshme shqiptare në Kosovë. Plot 27 vite pritëm që të jetësohet ky plebishcit i sovranit.

Plot 27 vite të persekutuar nga regjimet e njëpasnjëshme “demokratike ” të politikës shoviniste serbe. E tërë Lugina është kthyer me sy e veshe nga Kosova që këtë vit duke shpresuar në jetësimin e tij. Neve në Luginë na ka mbetë vetëm një shpresë që do të jetë rreze drite për jetesimin e referendumit dhe ajo eshte idea e Presidentit Thaçi pro bashkimit të Luginës.

Urojmë më të mirën për shqiptarët e Lugines, bashkimin me Kosovë!

Urime shqiptarë!

Preshevë, 1 mars 2019,
Kryetari i PDSH-së Dr.Sc. Ragmi MUSTAFA

Related posts

Publikohet lista e përfituesve në konkursin për masat e efikasitetit energjetik në Preshevë për vitin 2023

Dokument / Pozitat udhëheqëse që do të i takojnë Aleancës për Luginën në Komunën e Preshevës

KDNJ ka mbajtur tribunën “(Mos)integrimi i pakicës kombëtare shqiptare në Serbi”