Partia për Veprim Demokratik përmes një postimi në faqen e partisë në facebook, ka bërë të ditur se ka mbajtur mbledhjen e Këshillit Qëndror.
“Këshilli Qendror i Partisë për Veprim Demokratik, në mbledhjen e mbajtur të martën ka shqyrtuar gjendjen politike në Luginën e Preshevës, me fokus të veçantë çështjen e zgjedhjeve të reja parlamentare, si pasojë e ndërprerjes së parakohshme të kësaj legjislature.” thuhet në kumtesën e publikuar në facebook.
Sipas Këshillit Qëndror të PVD-së, puna dhe angazhimi i grupit parlamentar ‘Lugina e Bashkuar – SDA Sanxhak’ e përbërë nga tre deputetët shqiptar dhe tre boshnjak, ka dëshmuar se përfaqësimi në parlament merr kuptim dhe vlerë nëse ushtron politika të duhura dhe të mira.
Përveç tjerash në kumtesën e PVD-së të publikuar pasditen e 16 shkurtit 2022 në faqen e kësaj partie në facebook, njoftohet opinioni se kryetari i PVD-së, Shaip Kamberi, ka marrë përkrahjen për të qenë kandidat për deputet nga kjo parti, dhe se vendimi për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare nuk ndryshon. PVD do të marrë pjesë në zgjedhjet pasuese parlamentare.
Përveç vendimit për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare, PVD ka vendosur që më 18 shkurt me fillim në ora 19:00, të organizojë një takim të përbashkët në Sallën e Konferencave të Komunës së Preshevës, ku fton Alternativën për Ndryshim, Partinë Demokratike, Partinë Demokratike Shqiptare, Lëvizjen për Reforma, Lëvizjen për Progres Demokratik dhe Unionin Demokratik Shqiptar, me propozim për të biseduar rreth çështjes së zgjedhjeve të reja parlamentare.
Në vazhdim po ju sjellim deklaratën e plotë të PVD-së, të publikuar në facebook:
Kumtesë e Partisë për Veprim Demokratik
Këshilli Qendror i Partisë për Veprim Demokratik, në mbledhjen e mbajtur të martën, ka shqyrtuar gjendjen politike në Luginën e Preshevës, me fokus të veçantë çështjen e zgjedhjeve të reja parlamentare, si pasojë e ndërprerjes së parakohshme të kësaj legjislature.
Këshilli Qendror i PVD-së ka vlerësuar pozitivisht punën dhe angazhimin e Grupit Parlamentar ‘Lugina e Bashkuar – SDA Sanxhak’, që ka dëshmuar se përfaqësimi në parlament merr kuptim dhe vlerë nëse ushtron politika të duhura dhe të mira.
Lidhur me procesin e mëtutjeshëm në raport me zgjedhjet parlamentare, Këshilli Qendror ka vendosur :
1/ Partia për Veprim Demokratik do të marrë pjesë në zgjedhje e reja parlamentare.
2/ Partia për Veprim Demokratik kandidon kryetarin e saj, z. Shaip Kamberi, për kandidat për deputet.
3/ Partia për Veprim Demokratik angazhohet për listë të përbashkët të subjekteve politike shqiptare nga Lugina e Preshevës.
4/ Partia për Veprim Demokratik fton partitë politike shqiptare, me përfaqësues të zgjedhur në zgjedhjet pjesëmarrëse, në zgjedhjet lokale dhe të Këshillit Kombëtar Shqiptar; Alternativën për Ndryshim, Partinë Demokratike, Partinë Demokratike Shqiptare, Lëvizjen për Reforma, Lëvizjen për Progres Demokratik dhe Unionin Demokratik Shqiptar, për një takim të përbashkët, të premten më 18 shkurt 2022, me fillim në ora 19:00, në Sallën e Konferencave të Komunës së Preshevës, me propozim për rend të ditës, çështjen e zgjedhjeve të reja parlamentare.
Shërbimi për Informim i
Partisë për Veprim Demokratik