Në ambientet e Fakultetit Ekonomik të Suboticës, dega në Bujanoc, kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, mori pjesë në një takim të përbashkët me ministrin për të Drejtat e Njeriut, të Pakicave dhe Dialogun Shoqëror, Demo Berisha, si dhe me drejtuesit e Trupit Koordinues të Qeverisë së Serbisë.
Pajaziti i dorëzoi ministrit Berisha një dokument me 10 pika, të cilat, sipas tij, përbëjnë elemente të domosdoshme për krijimin e mirëbesimit mes institucioneve lokale dhe organeve shtetërore.
“U pajtuam se dialogu mbetet mënyra e vetme për zgjidhjen e problemeve, duke përfshirë edhe dialogun shoqëror si instrument të rëndësishëm për forcimin e bashkëjetesës dhe besimit reciprok”, theksoi Pajaziti.
Ai nënvizoi se është e papranueshme që kërkesat e shqiptarëve të shtyhen pafundësisht, ndërsa ndërrimet e pushteteve në Beograd nuk duhet të shërbejnë si alibi që çështjet të trajtohen gjithmonë nga e para.
Kryetari i Bujanocit deklaroi gjithashtu se shqiptarët duhet të trajtohen si të barabartë, sipas ligjeve, Kushtetutës dhe konventave ndërkombëtare në fuqi.
“Është koha e fundit që ky hap të reflektojë pozitivisht edhe në procesin e inkuadrimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore, sepse në të kundërtën humbës do të jemi të gjithë”, tha Pajaziti, duke theksuar vullnetin e qartë për ndërtimin e një qeverisjeje të përbashkët e bashkëpunuese me partnerët lokalë nga komuniteti serb./FOLOnline