Nënshkruhet memorandum bashkëpunimi mes KKSh-së dhe Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar

Këshilli Kombëtar Shqiptar (KKSh) ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Këshillin e Agrobiznesit Shqiptar (KASh), me qëllim zhvillimin e sektorëve prodhues në zonat rurale shqiptare të Luginës së Preshevës.


Lajmi është bërë i ditur nga kryetari i KKSh-së, Enkel Rexhepi, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku theksoi rëndësinë e këtij hapi për ekonominë lokale.

“Ky është një hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të ekonomisë rurale dhe qëndrueshmërisë së prodhimeve vendore”, shkroi Rexhepi.

Ai ka falënderuar gjithashtu Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Serbi, për mbështetjen dhe rolin e saj në këtë iniciativë institucionale.

“Ambasada e Shqipërisë në Serbi e ka mbështetur dhe ka qenë pjesë e kësaj nisme të rëndësishme bashkëpunimi”, shtoi ai.

Memorandumi u nënshkrua gjatë vizitës zyrtare të kryetarit të KKSh-së në Tiranë, vizitë gjatë së cilës Rexhepi u takua edhe me Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe Kryetaren e Kuvendit, Elisa Spiropali.

Në këto takime u diskutuan problemet me të cilat përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës, përfshirë: pasivizimin e adresave, diskriminimin në përfaqësim dhe punësim, çështjet në arsim, përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe dhe simboleve kombëtare, mosrealizimin e marrëveshjeve të nënshkruara nga Qeveria e Serbisë.

Rexhepi theksoi nevojën që çështja e shqiptarëve të Luginës të mbetet pjesë e agjendës shtetërore të Republikës së Shqipërisë, ndërsa Presidenti Begaj, sipas tij, ripohoi përkushtimin për mbrojtjen e të drejtave dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve në këtë rajon.

Related posts

APN hrdh akuzat për tenderë në Preshevë – Mustafa për PreshevaPRESS: Shpifje të kulluara

Pak ditë deri në afatin përfundimtar për regjistrim e nxënësve në klasën e parë

Rexhepi takon Ministrin për Evropë dhe Punë të Jashtme të Republikës së Shqipërisë 

/