Dje në Parlamentin e Republikës së Serbisë ka filluar sezoni vjeshtor me seancën e parë për këtë sezon, e cila do të vazhdojë edhe sot nga ora 10:00.
Për rendin e ditës në këtë seancë janë paraparë 47 pika të rendit të ditës, por krejt në fillim të seancës me kërkesën e Qeverisë së Serbisë, janë futur në votim edhe disa pika tjera të cilat nuk ishin pjesë e rendit të ditës.
Dy nga pikat e futura për votim me procedurë të përshpejtuar kanë qenë dy rezoluta të propozuara nga grupi parlamentar të cilit i përket edhe deputeti i vetëm shqiptar Kamberi.
Në votim u hodh Rezuluta për njohjen e gjenocidit në Srebrenicë dhe Rezuluta për pozitën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të cilat nuk morën përkrahje nga shumica deputetëve, duke mos marrë pjesë në votim.
Nga 169 deputetë që ishin prezent në seancë, 157 deputetë nuk morën pjesë në votimin për Rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë, për votuan 6 deputetë, derisa 4 ishin kundër dhe dy abstenuan.
Për dallim nga Rezulta për gjenocidin në Srebrenicë, Rezoluta për pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, nuk mori asnjë votë për, kundër ishin tre deputetë, derisa 168 deputetë nuk morën pjesë në votim.
Vlen të theksohet se njëri nga propozuesit e Rezolutës për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Ahmed Shkrijel, edhe pse në fillim të seancës mori fjalën, që dëshmon se ishte prezent në seancë, as ai nuk votoi për.
Në lidhje me këtë ka reaguar Rahim Salihu, sekretar organizativ i PVD-së, njëherit asistenti i grupit parlamentar PSG-SDA Sanxhak-PVD, pjesë e të cilit është edhe Shaip Kamberi.
Në reagimin e tij, Salihi e cilësoi veprimin e shumicës si “akt perfid dhe tinëzar”, duke theksuar se kjo është dëshmia më e qartë e mungesës së vullnetit politik për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në këtë rajon.
“Ky episod i turpshëm nuk është vetëm një incident parlamentar, por simbol i një politike të vjetër të mohimit dhe diskriminimit sistematik ndaj shqiptarëve të këtij rajoni,” theksoi Salihi.
Në fund të reagimit të tij, sekretari organizativ i PVD-së ritheksoi se shqiptarët e Luginës nuk kërkojnë privilegje, por barazi dhe dinjitet, duke paralajmëruar se beteja politike për realizimin e të drejtave kolektive do të vazhdojë.
“Pavarësisht skenarëve të tyre, rezoluta do të ridërgohet në parlament sërish dhe sërish. Nga Plani 7 pikësh nuk do të lëvizim. Të drejtat tona do t’i gëzojmë — por atë ditë, ata do të jenë të harruar politikisht,” përfundon reagimi i Rahim Salihit.
Ai ka siguruar se Rezoluta për pozitën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës do të dorëzohet përsëri në Parlamentin e Republikës së Serbisë.