Në Bujanoc hiqet gjendja e jashtëzakonshme në deponinë e qytetit

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, ka njoftuar se gjatë ditës së sotme është mbajtur seanca e Shtabit për Situata të Jashtëzakonshme, ku ndër pikat kryesore të rendit të ditës ishte edhe shqyrtimi i gjendjes në deponinë e qytetit.


Në këtë mbledhje, ku morën pjesë përgjegjësit e të gjitha dikastereve komunale, u vendos që të hiqet gjendja e jashtëzakonshme në deponinë e qytetit, pas vlerësimit se situata tashmë është stabilizuar.

Kryetari Pajaziti bëri të ditur se, përveç këtij vendimi, është shqyrtuar edhe raporti mbi zjarret e ndodhura gjatë sezonit të verës, si dhe gatishmëria e institucioneve dhe shërbimeve komunale për t’u përballur me situata të mundshme gjatë stinës së vjeshtës dhe dimrit.

“Të gjitha shërbimet komunale u shprehën të gatshme të jenë në shërbim të qytetarëve në çdo moment që paraqitet nevoja,” theksoi Pajaziti, duke shtuar se angazhimi dhe bashkëpunimi i ndërsjellë mbeten çelësi për ta mbajtur komunën e Bujanocit të sigurt dhe funksionale në çdo situatë.

Mbledhja e sotme e Shtabit për Situata të Jashtëzakonshme vjen pas një periudhe me sfida të ndryshme për shërbimet komunale, përfshirë menaxhimin e deponisë dhe rastet e zjarreve gjatë verës. Autoritetet komunale kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë të mbajnë kontakt të ngushtë me institucionet relevante për të siguruar reagim të shpejtë në çdo rast të mundshëm emergjent.

Related posts

Gjimnazi “Skënderbeu” në Preshevë shënon Ditën Ndërkombëtare të Shëndetit Mendor

Aksidenti fatal në Preshevë, policia kërkon shoferin që iku nga vendi i ngjarjes

Në vendimin për ndihmat financiare për studentët në Kosovë përfshihen edhe studentët nga Lugina