MUSTAFA: KËRKESËN PËR BASHKIMIN E LUGINËS ME KOSOVËN DO T`UA PARAQES TË GJITHVE

Ragmi Mustafa, kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare në Preshevë dhe ish-kryetar i komunës së Preshevës, tha për RTV Ora, se shqiptarët e Luginës së Preshevës kërkojnë realizimin e referendumit të 1 dhe 2 marsit 1992 për t’iu bashkuar Republikës së Kosovës.


Në një intervistë për RTV Ora News, kryetari i PDSH-së tha se këtë kërkesë do t’ua paraqesë të gjithë politikanëve të pranishëm në konferencën e ditës së nesërme të organizuar nga ministri Gent Cakaj me temë “Roli i Shqipërisë në promovimin e interesave të shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor”.

“Nesër do të kërkoj nga të gjithë të pranishmit të politikës shqiptare që të mbështesin iniciativën, të drejtën ndërkombëtare të shqiptarëve të Luginës së Preshevës për bashkimin me Kosovën. Kohët e fundit ka dhe frustrime shumë interesante në politikën shqiptare në Republikën e Kosovës duke ju shmangur kësaj kërkese të shqiptarëve mbase Serbia do të kërkojë diçka nga Kosova”, tha ai.

Mustafa tha se të drejtat që kërkon Serbia për serbët e Kosovës me garanci ndërkombëtare duhet t’iu jepen dhe shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Shqiptarët e Luginës së Preshevës duke pritur jo më pak se 100 vite, duke mos e besuar kurrë që Serbia edhe në rast të arritjes së një marrëveshje të zbatonte të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës ne padyshim që kërkojmë realizimin e referendumit të 1 dhe 2 marsit 1992, realizimin e idealit të ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë dhe dëshmorëve të kombit, të platformës politike të miratuar nga partitë politike shqiptare në 2006 që specifikon në mënyrë të përpiktë të gjitha kërkesat e shqiptarëve, duke qenë se referendumi i marsit 1992 ka të bëjë me të drejtën kruciale për Preshevë, Bujanoc, Medvegjë që t’i bashkohen republikës së Kosovës ku edhe kanë pasur vendin” tha Mustafa mes tjerash gjatë kësaj interviste.

Përveç kërkesës për realizimin e kërkesave të dalura nga referendumi i marsit të vitit 1992, kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare në Preshevë tha se pasojat e luftës politike dhe tregtare mes Prishtinës dhe Beogradit duket se po i vuajnë më së shumti shqiptarët e Luginës së Preshevës. Ai kërkoi nga qeveria e Kosovës të bëjë më shumë kujdes kur ndërmerr masa reciprociteti, duke deklaruar se Lugina e Preshevës është dëmtuar rëndë nga taksa 100%.

Asnjë masë reciproke nuk duhet të merret ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, por ndaj Serbisë. Të specifikohet që nuk vlen për shqiptarët  në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Masa tjetër reciproke që mund të jetë në mosnjohjen e dokumentave të udhëtimit, Republika e Kosovës të mos njohë letërnjoftimin e Serbisë, pasaportën e Serbisë. Por të thuhet që kjo nuk vlen për shqiptarët në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.” tha Mustafa duke komentuar deklaratat e Kurtit për planin e vendosjes së masave reciproke me Serbinë.

Duke folur për pasojat e taksës 100% të vendosur nga Haradinaj për produktet nga Serbia dhe Bosne e Hercegovina, Mustafa tha se ka 4-5 kompani të cilat janë dëmtuar nga kjo taksë, pasi që nuk kanë dërguar që një vit asnjë produkt të tyre në Kosovë, arsye përshkak të cilave dy kompani qumshti sipas Mustafës janë shpërngulur në Kosovë.

“Çdo masë reciproke ne e mbeshtesim, edhe taksën 100%, edhe 200% se e meriton Serbia, por jo edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Të gjitha ato që kërkon Serbia për serbët në Kosovë, dyfish më tepër tu jepen shqiptarëve në Luginën e Preshevës.” tha Mustafa gjatë intervistës së dhënë mbrëmë në RTV Ora News.

Related posts

Publikohet lista e përfituesve në konkursin për masat e efikasitetit energjetik në Preshevë për vitin 2023

Dokument / Pozitat udhëheqëse që do të i takojnë Aleancës për Luginën në Komunën e Preshevës

KDNJ ka mbajtur tribunën “(Mos)integrimi i pakicës kombëtare shqiptare në Serbi”