Përfaqësuesi i Bashkimit Europian për Punët e Jashtme Josep Borrell, ka folur së fundmi rreth dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, dhe zgjedhjes së Joe Biden si president i SHBA’ve duke vënë në spikamë rolin e tij në këtë dialog. Ai ka treguar se ishte diskutuar ideja e shkëmbimit të territoreve, por kjo nuk është më një mundësi, shkruan Gazeta Metro.
Borrell, në një intervistë për një media nga Bosnja, tha se pret bashkëpunim edhe nga presidenti i zgjedhur i SHBA’ve, Joe Biden. Ai tha se BE nuk është në garë me SHBA’të, e sidomos kur bëhet fjalë për dialogun Prishtinë-Beograd.
‘’Ne presim nga administrata e re një partneritet të fortë me BE në të gjitha çështjet që janë të rëndësishme për ne. Nuk është konkurrencë. Ne nuk po garojmë me Shtetet e Bashkuara në Ballkan, veçanërisht kur bëhet fjalë për dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit. Ju shpesh do të dëgjoni – BE ka ose nuk ka një rol, etj. Drejtimi i vetëm është anëtarësimi i Ballkanit në BE. E përsëris, askush nuk do të ofrojë një perspektivë të tillë, përveç nesh. Nëse amerikanët janë atje për të ndihmuar, ne, sigurisht, do ta pranojmë ndihmën, por nuk do të konkurrojmë’’, tha Borrell, transmeton Gazeta Metro.
Ndërsa i pyetur nëse do ketë ndonjë kërkesë shtesë për Prishtinën dhe Beogradin, përveç harmonizimit mes dy vendeve, Borrell tha se BE nuk do ua diktoj atyre kërkesat shtesë, dhe ata duhet të bien dakord.
‘’ Zgjidhja duhet të vijë prej tyre. Ne nuk do ta diktojmë atë. U takon atyre të bien dakord. Ka shtete anëtare të BE-së që kundërshtojnë fuqimisht idenë e zëvendësimit të territoreve. Por, në parim, ajo që duam është të jemi ndërmjetës. Dhe ky është një ndërmjetësues i drejtë. Ne po përpiqemi ta përmbushim atë rol. Megjithatë, deri më tani gjërat po shkojnë mjaft mirë. Unë drejtova një nga takimet për dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit. Emocionet janë të forta dhe mendoj se është e kuptueshme, sepse dialogu është kërkues dhe i vështirë, i ngarkuar me histori … Por, do të thosha, deri më tani po shkon mjaft mirë. Dhe, siç e thashë, ne duam të jemi ndërmjetës duke ditur se ka disa gjëra për ne që janë të papranueshme si zgjidhje. Disa muaj më parë kishte një propozim për të shkëmbyer territore. Por kjo nuk është më një mundësi’’, përfundoi Borrell.