Seanca e parë e Kuvendit Komunal në Preshevë për vitin 2022 fillon me një orë vonesë

Seanca e Kuvendit të Komunës së Preshevës ka filluar me debat të nxehtë mes pozitës dhe opozitës me rreth një ore vonesë.


Sot fillon punimet e Kuvendit të Komunës së Preshevës për këtë vit, me ftesë të kryetarit të Kuvendit, Sami Salihu. Për seancë janë parapa shtatë pika të rendit të ditës, mes të cilave shumica janë shkarkime dhe emërime.

Qysh në fillim të seancë debati mes qeverisjes dhe opozitës u ashpërsua në diskutimin rreth pikave të rendit të ditës, kur këshilltari i APN-së, Altin Boriçi, kërkoi të diskutohet rreth çështjes së aktakuzës së ngritur ndaj Ardita Sinani, me ç’rast edhe ka kërkuar dorëheqjen e Sinanit si akt moral politik ndaj.

Nënkryetari i Kuvendit të Kuvendit, Shpat Aliu, ka dalë në mbrojtje të Sinanit duke kërkuar respektimin e parimit të prezumimit të pafajsisë, moment kur debati u drejtua në diskutimin APN – PDSH, për temën e pjesëmarrjes së PDSH-së, në zgjedhjet parlamentare, nga shefi i grupit të këshilltarëve të APN-së, Amir Latifi.

Diskutimeve të ashpërta mes opozitës dhe qeverisjes, akuzave dhe kundërakuzave, iu kanë bashkuar edhe këshilltarët Almin, Shaqiri, Argjend Sherifi, Arzana Bajrami duke parashtruar kërkesën e njejtë me Boriçin për dorëheqjen e Sinanit.

I ashpër me opozitën është treguar përfaqësuesi i UDSH-së, Naser Aziri, i cili e ka quajtur Shqiprim Arifin si keqpërdoruesin më të madh që njeh Presheva, dhe ka pohuar se ekziston aktakuzë edhe ndaj Arifit. Ai njëherit ka kritikuar udhëheqësit e Kuvendit duke i ftuar të respektojnë rregulloren e punës dhe mos të zgjaten në diskutime rreth rendit të ditës.

Pas përfundimit të fjalimit, derisa Aziri po shkonte në vend, ka patur një depat të ashpër me Arifin, gjë që ka sjell edhe ndërprerjen e seancës nga kryetari i Kuvendit, duke shkuar në pauzë.

Ndërpritet sërish seanca e Kuvendit Komunal 

Pas pauzës së parë  Kuvendi vazhdoi punimet me tone të larta të shkaktuara nga debatet mes pozitës dhe opozitës, rreth propozimit të APN-së për ndyshimin dhe plotësimin e rendit të ditës për seancën e parë. Vazhdimin e seancës e hapi kryetari i Kuvendit, Sami Salihu, i cili bëri një hyrje dhe luti këshilltarët e të gjitha subjekteve politike për kujdes në fjalorin e përdorur në foltoren e kuvendit.

Shqiprim Arifi, kryetari i APN-së, ishte i pari që mori fjalën në vazhdimin e seancës së Kuvendit të Komunës së Preshevës, duke vazhduar akuzat dhe kritikat ndaj partive që përbëjnë koalicionin qeverisës. Ai gjatë fjalës së tij, kërkoi edhe një herë të shqyrtohet qëndrimi i koalicionit qeverisës ndaj propozimit të APN-së, për të diskutuar për aktpadinë e ngritur ndaj kryetares së Komunës së Preshevës.

Arifi derisa diskutonte në foltoren e Kuvendit, përdori fjalë në gjuhës gjermane përmes të cilave nënçmonte dhe fyente këshilltarët e shumicës qeverisëse, derisa premtoi se nëse ndonjëherë ngritet aktakuzë ndaj tij, ai do të japë dorëheqje nga partia dhe nga pozita e udhëheqësit të opozitës në Preshevë.

Shefi i grupit të këshilltarëve të PVD-së, Munir Rexhepi, iu përgjigj akuzave të Arifit, përmes kundërakuzave që lidheshin me kohën e qeverisjes së APN-së me Presheva. Ai gjithashtu gjatë diskutimit të tij doli në mbrojtje të deputetit popullor, Shaip Kamberi.

Rexhepi tha që gjatë vitit 2015 dersa kishte organizuar një protestë në emër të OVLUÇPMB-së kundër diskriminimit shtetëror ndaj shqiptarëve më Luginë, Arifi nuk kishte pranuar të ishte pjesmarrës dhe bashkëorganizator për shkak se në pjesën e deklaratës së përbashkët politike kritikohej qasja e shtetit dhe qeverisë së Serbisë. Dialogu Arifi – Rexhepi vazhdoi me akuza dhe kundërakuza perosnale rreth temës së patriotizmt të treguar deri më tani.

Pas më shumë se 50 minuta diskutim, kryetari i Kuvendit procedoi me votimin e rendit të ditës për seancën e sotme, i cili u miratua me ndryshimin e pikës së pestë të rendit të ditës me 20 vota pro, derisa propozimi i këshilltarit nga ana e APN-së, Altin Boriçi, nuk kaloi pasi që pro votuan vetëm 10 këshilltarë.

Pas fillimit të diskutimit rreth pikës së parë të rendit të ditës, këshilltarët e APN-së lëshuan seancën pas një diskutimi të kryetarit të tyre i cili vazhdoi me akuza ndaj deputetit shqiptar Shaip Kamberi. Seanca u ndërpre sërish nga një debat rreth mbarvajtjes së seancës mes këshilltarit të PVD-së, Beqir Nuhiu dhe kryetarit të Kuvendit, Sami Salihu, i cili lëshoi senacën derisa zëvendësi i tij, Shpat Aliu, kërkoi pauzë prej 10 minutash.

Related posts

Publikohet lista e përfituesve në konkursin për masat e efikasitetit energjetik në Preshevë për vitin 2023

Dokument / Pozitat udhëheqëse që do të i takojnë Aleancës për Luginën në Komunën e Preshevës

KDNJ ka mbajtur tribunën “(Mos)integrimi i pakicës kombëtare shqiptare në Serbi”