Komuna e Bujanocit do të bashkëpunojë në lëminë e mbrojtjes sociale me komunën e Haraçinës në Maqedoninë e veriut.
Kjo u bë e ditur pas takimit të dy kryetarëve të komunave, Arbër Pajaziti nga Bujanoci dhe Ridvan Ibrahimi nga Haraçina.
Detajet e bisedës i shpalosi nikoqiri i takimit, Arbër Pajaziti:
Sot patëm një bashkëbisedim vëllazëror me kryetarin e komunës së Haraçinës (Maqedoni e veriut), Ridvan Ibrahimin.
Në vazhdën e bashkëpunimeve tona konkrete u dakorduam të hartojnë një projekt në kuadër të IPA fondeve të Bashkimit Evropian.
U pajtuam që aplikimi ynë i përbashkët ti dedikohet mbrojtjes sociale, si një segment mjaft i rëndësishëm i shoqërisë.
Realizimi i kësaj ideje në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar në masë të madhe do të përmirësonte pozitat e shtresave më të ndieshme në dy komunat tona.
Bujanoci dhe Haraçina janë ngusht të lidhura me miqësi familjare, kurse tash e tutje kjo lidhje do të forcohet edhe me partneritet institucional e shoqëror.