Gjimnazi “Skënderbeu” në Preshevë është ndër shkollat e pakta në numër, tek të cilat nuk është përfshirë në mënyrë direkte Ministri i Arsimit të Serbisë, e që është futur në procesin e zgjedhjes së udhëheqjes së këtij institucioni në mënyrë të rregullt dhe në afat ligjor.
Pas konkursit të shpallur nga gjimnazi “Skënderbeu” në Preshevë për zgjedhjen e drejtorit të këtij institucioni, vetëm dy nga konkurrentët që kanë aplikuar kanë plotësuar kushtet për të garuar për pozitën e drejtorit.
Dy kandidatët që garojnë për drejtorin e gjimnazit “Skënderbeu” në Preshevë janë drejtori i deritanishëm, z.Nadër Sadiku dhe prof.Sinan Fetahu mësimdhënës në këtë institucion.
Gjatë ditës së djeshme në orët e mbrëmjes, në mbledhjen e zhvilluar të këshillit të arsimtarëve është votuar për drejtorin e këtij institucioni arsimor.
Këshilli i arsimtarëve në përbërje prej 103 të punësuarve në këtë shkollë, dje në mbledhjen e mbajtur me shumicë votash ka përkrahur vazhdimin e mandatit të drejtorit aktual, z.Sadiku.
Nga 103 vota gjithsej sa ka kolektivi i gjimnazit “Skënderbeu” në Preshevë, drejtori aktual z.Nadër Sadiku ka marrë përkrahjen e 85 të punësuarve në këtë institucion, derisa prof.Sinan Fetahu ka arritur të sigurojë përkrahjen nga pjesës tjetër, duke mënjanuar nëntë votat e shpallura të pavlefshme.
Me këtë votim shihet qartë se shkolla e mesme ”Skënderbeu” ka votuar për të vazhduar mandatin e drejtorit aktual edhe për katër vitet e ardhshme.
Edhe pse kjo shkollë ka kaluar pa përfshirjen direkte të Ministrisë së Arsimit të Republikës së Serbisë siç ka ndodhur me shkollat tjera, është e rëndësishme të theksohet se një numër i konsiderueshëm i mësimdhënësve në këtë institucion arsimor është intervistuar nga policia në lidhje me angazhimin e tyre në këtë shkollë.