Shaip Kamberi, deputet nga Bujanovci, kryetar i grupit të vetëm opozitar në parlamentin serb kritikon politikën e Vuçiqit ndaj shqiptarëve në jug të Serbisë, që i diskriminon ata në të drejtat e tyre si dhe ekonomikisht.
Deputeti i opozitës në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, thotë se politika e Serbisë ndaj shqiptarëve duhet të ndryshojë tërësisht, nëse Beogradi kërkon paqe në rajon. Deklaratat e Kamberit në disa seanca të Kuvendit të Serbisë e kanë kthyer atë në qendër të vëmendjes në opinionin serb. Kamberi u kritikua e sulmua pasi përmendi krimet, diskriminimin, por edhe gjendjen e politikës në Serbi.
Shumë serbë e lavdëruan duke e quajtur liderin e ri të opozitës serbe, pasi replikat kryesore në Kuvend zhvillohen mes Shaip Kamberit dhe deputetëve që shumica i takojnë mazhorancës.
Pas zgjedhjeve parlamentare të 21 qershorit, qeveria u formua katër muaj me vonesë dhe me paralajmërimin, se kjo qeveri do të ketë kohë të limituar prej një viti e gjysmë. Serbët do të mund të votojnë sërish për parlamentin dhe njëkohësisht edhe për presidentin e vendit në prill të vitit 2022. Shumë parti opozitare i bojkotuan zgjedhjet pasi ishin të mendimit, se nuk ka kushte të mjaftueshme për zgjedhje të lira dhe demokratike, duke akuzuar presidentin serb, Aleksandar Vuҫiq për kontroll total të mediave.
DW: Zoti Kamberi, si deputet në Kuvendin e Serbisë e keni quajtur këtë përbërje një ëndërr të Sllobodan Millosheviqit për shkak se vetëm grupi juaj parlamentar është në opozitë. Si mund të përshkruhet një gjendje e tillë dhe në ҫfarë rrethanash po zhvillohet përbërja e re e kuvendit?
Shaip Kamberi: Vetë përbërja e kuvendit dëshmon një absolutizëm të pashoq në parlamentarizmin e Serbisë, një situatë, që tejkalon edhe përmasat që kishte krijuar Millosheviqi me partinë e vet, sepse nga 250 deputetë, vetëm gjashtë janë ata që përbëjnë opozitë dhe ata janë nga dy parti politike që përfaqësojnë pakicat. Një mungesë absolute e tolerancës ndaj kërkesave tona politike dhe ndaj gjithҫkaje që shtrojmë në këtë parlament. Është shumë e qartë që jemi peng të një situate dhe raporti që Serbia e ka karshi Kosovës duke i konsideruar shqiptarët armiq të përhershëm dhe numri një i këtij shteti i mohon të drejtat tona që janë të garantuara me vetë kushtetutën e Serbisë duke refuzuar të vazhdojë dialogun e nisur në vitin 2013, por të cilin vetë qeveria e Serbisë e kishte ndërprerë me shuarjen e gjykatës në Preshevë dhe me disa masa që kthejnë pozitën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në mënyrë retrograde.
DW: Kryeministrja serbe Ana Brnabiq, ju tha që ju jeni vetë fajtor pasi diskriminoni vetveten, tha se ju është ofruar një vend i zëvendësministrit. Si e keni parë dhe përse nuk e keni mbështetur qeverinë e re të Serbisë, e cila megjithatë ka personazhe të njohura në politikë?
Shaip Kamberi: E para se ne nuk kemi pasur kurrfarë oferte. Ne kemi pasur një takim konsultativ me presidentin Vuҫiq para caktimit të mandatarit. Dhe, pas atij takimi nuk kemi pasur asnjë ofertë dhe bisedime. As presidenti dhe as mandatarja për krijimin e qeverisë, zonja Brnabiq nuk ka pasur takim me ne. Ҫështja tjetër është se kjo qeveri u deklarua edhe vetë që është një qeveri kontinuiteti, e që në raport me shqiptarët e Luginës së Preshevës do të thotë një qeveri e vazhdimit të një diskriminimi të mëtejshëm. Ajo që ne kemi kërkuar është të fillojmë bisedimet për planin shtatë pikësh dhe të merren masat, të cilat parashihen në atë dokument që duhet të afirmojnë pozitën e shqiptarëve. Pozita e shqiptarëve në Luginën e Preshevës nuk mund të përmirësohet me një zëvendësministër, sekretar shtetëror apo funksion tjetër. Me një kozmetikë të demokracisë, kur në esencë ke mungesë totale tolerance ndaj pakicës, një mungesë e elementeve kryesore të demokracisë në një rajon të përbuzur ndër vite. Qoftë në aspektin e diskriminimit të të drejtave apo diskriminimit ekonomik që zbatohet ndaj nesh. Ndaj ne nuk mund të jemi kozmetikë e kësaj qeverie, e cila nuk ka program të qartë për Luginën e Preshevës dhe për të drejtat e shqiptarëve.