Humbi punën për shkak se perkrahu publikisht studentët dhe protestat në Beograd

Mbështetja për studentët dhe rebelimi civil, pjesëmarrja në protesta kundër Qeverisë së Serbisë, por edhe vërejtjet ndaj autoriteteve për shkak se ata shkojnë në takimet e partisë së Vuçiqit (SNS) me automjete zyrtare, i kushtuan 35 vjecarit Mladen Zlatkoviqit, me punën e tij në Qendrën për pranimin e refugjatëve në Bujanoc, ku ai punoi për nëntë vitet e fundit.


Zlatkoviqit, siç pretendon ai, nuk iu zgjat kontrata në Qendrën për pranimin e refugjatëve, dhe ky vendim iu komunikua nga menaxheri i qendrës, Goran Marković, një oficer policie në pension, me shpjegimin zyrtar se “shpenzimet po ulen” shkruan portali lokal Bujanovacke.co.rs.

Megjithatë, Zlatkoviq beson se arsyet janë të natyrës politike, pra sepse ai është pjesëmarrës i rregullt në protestat studentore kundër qeveritare, jo vetëm në Bujanoc, por në të gjithë Serbinë, shkruan Bujanovacke.

Mladeni është nga Bujanoci, i martuar dhe baba i dy fëmijëve të mitur, derisa është në pritje të fëmijës së tretë.

Zlatkoviq ka punuar në Qendrën për pranimin e refugjatëve që nga tetori i vitit 2016 në disa pozicione. Ai filloi si mbështetës administrativ, më pas punoi si punonjës në terren, zyrtar pranues dhe koordinator i strukturës. Për gjashtë vjet, ai ishte gjithashtu shef i ndrrimit, kaloi nëpër të gjitha trajnimet e mundshme të Komisariatit për refugjatë në fushën e menaxhimit të migracionit, thotë ai.

Zlatkoviq në njërën nga protestat e studentëve (Foto nga arkivi personal e publikuar në bujanovacke.co.rs)

Për Bujanovacke, ai deklaron se arsyeja e vërtetë për ndërprerjen e kontratës së tij është e natyrës politike.

“Zyrtarisht më thanë se ishte çështje e uljejeve të shpenzimeve, por unë jam i vetmi që nuk i është zgjatur kontrata, dhjetë punonjës ende punojnë në qendër. Jam i bindur se arsyeja është se unë i mbështeta publikisht studentët dhe shkova në protesta në Nish dhe Beograd”, thotë Zlatkoviq.

Zlatkoviq gjithashtu thekson se shpjegimi për zvogëlimin e harxhimeve nuk është bindës:

“Nëse harxhimet tashmë po ulen, mendoj se do të fillonin me menaxherët, të cilët janë inspektorë policie në pension me paga të larta. Nga njëra prej pagave të tyre në kamp, ata mund të punësonin dy punëtorë nga komuniteti lokal”, thotë ai.

Ai shton se në të kaluarën ka pasur presion mbi punonjësit për të shkuar në takimet e SNS-së. Automjetet zyrtare, të cilat u blenë nga fondet e Bashkimit Evropian, i cili financon edhe mirëmbajtjen e tyre, u përdorën, thotë ai, për të transportuar punonjësit në takimet e partisë.

“Njëherë më ftuan të shkoja në një takim, por unë refuzova. Pas kësaj, nuk më telefonuan më. Kur u rebelova dhe thashë publikisht se automjetet zyrtare nuk duhet të përdoren për të shkuar në tubimet e partisë, përgjigjja ishte – hesht, mos ndërhyj”, tha Zlatkoviq.

Ai shton se kjo nuk është hera e parë që njerëz nga Komisariati për Refugjatë humbasin vendet e tyre të punës sepse nuk ishin “të bindur”. Situata të ngjashme, thotë ai, kanë ndodhur edhe më parë, kur Goran Marković, një inspektor policie në pension, ishte menaxher i Qendrës së Azilit në Vranjë.

Zlatković ishte ndër të paktët që, që nga hapja e qendrës në Bujanoc, qëndroi në të njëjtin vend pune për gati një dekadë. Sot, siç thotë ai, ka vetëm dy punëtorë që janë punësuar që nga fillimi.

“Ata që kanë punuar me vite dhe e dinë punën mbeten pa punë, ndërsa kuadro partiake emërohen në pozicione drejtuese. E gjithë kjo tregon se shkurtimet e vendeve të punës nuk janë çështje financiare, por politike”, tha ai.

Qendra e pritjes në Bujanoc aktualisht kujdeset për rreth 50 migrantë, midis të cilëve ka edhe të mitur të pashoqëruar. Pas shkarkimit të komisionerit të vjetër Vladimir Cucić dhe mbërritjes së Natasha Stanisavljević, punonjësit po denoncojnë gjithnjë e më shumë për presionet partiake dhe nepotizmin në sistem, thekson portali Bujanovacke.

Zlatkoviq thotë se rasti i tij nuk është një surprizë, por një rezultat i pritur.

“E dija që herët a vonë do të vinte momenti kur ata nuk do të donin të më vazhdonin kontratën. Ky është çmimi kur nuk pranon të bindesh”, tha ai.

Related posts

Gjimnazistët e Preshevës pjesëmarrës në seminarin “Intercultural Camp – Youth Talks”

Pajaziti: Gjykata po na detyron të paguajë mbi 13 milionë dinarë për shkak të keqqeverisjes së mëparshme

Foto / Bora e parë vështirëson qarkullimin në rrugën Preshevë–Gjilan