San Michele Cattolica Virtus, një klub futbolli amator nga Firenze, i njohur për promovimin e talenteve të rinj, ka nxjerrë në pah një tjetër yll në rritje.
Gerard Mirashi, një mbrojtës 17-vjeçar me origjinë shqiptare, ka bërë një hap të rëndësishëm në karrierën e tij, duke nënshkruar me klubin profesionist Benevento, pas tetë vjetësh zhvillimi te Cattolica Virtus.
Mirashi, i cili është dalluar për fuqinë fizike dhe aftësitë teknike, është një lojtar premtues, me një gjatësi të konsiderueshme prej 1,90 metra, e cila e veçon atë nga bashkëmoshatarët e tij. Pasi u rekomandua nga një vëzhgues i Beneventos, Francesco Bianco, ai iu bashkua ekipit të të rinjve për një periudhë prove dhjetëditore, e cila rezultoi me sukses, duke çuar në nënshkrimin e një kontrate me klubin.
“Hyrja ime në këtë klub me tradita të mëdha në futboll është një sfidë e vështirë, por që më inspiron të stërvitem më fort dhe të justifikoj besimin e stafit drejtues të Beneventos”, tha Mirashi pas nënshkrimit të kontratës.
Historia e Gerard Mirashit ka dy aspekte interesante. E para, është ngjashmëria e ngjyrave të fanellës midis Cattolica Virtus dhe Benevento, të dyja me ngjyrat verdhë dhe të kuqe. E dyta dhe më e rëndësishme, është lidhja familjare me Beneventon. Babai i Gerardit, Alfred Mirashi, i njohur sot si skulptori i famshëm ndërkombëtar Milot, ka përjetuar eksperiencën e parë italiane në Cervinara, afër Beneventos, pasi mbërriti në Itali si pjesë e valës së emigrantëve shqiptarë në fillim të viteve ’90.
Për Gerard Mirashin, Benevento mund të jetë vendi ku ai do të ndjekë gjurmët e babait të tij, duke u përpjekur të arrijë majat e futbollit italian dhe ndoshta të sjellë Beneventon përsëri në Serie A.