Policia në Bujanoc ka arrestuar V. A. (2002) nga rrethina e këtij qyteti, i dyshuar për veprën penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, është bërë e ditur sot nga Drejtoria e Policisë në Vranjë.
Sipas njoftimit zyrtar, i dyshuari akuzohet se ka shtënë me armë nga një veturë në lëvizje gjatë festimeve të qytetarëve shqiptarë në Bujanoc, pas ndeshjes së futbollit Serbi–Shqipëri, e zhvilluar më 11 tetor.
Burime jozyrtare të portalit Bujanovacke bëjnë të ditur se i arrestuari është i afërm i një zyrtari policor në Bujanoc, ndërsa disa të shtëna dyshohet se janë dëgjuar edhe përpara objektit të Stacionit Policor.
Pas fitores së kombëtares së Shqipërisë ndaj asaj të Serbisë, në qytetin e Bujanocit dhe Preshevës u zhvilluan festime me kolona makinash, valëvitje flamujsh kombëtar, sirena dhe brohoritje, ndërsa në disa raste ato u shoqëruan edhe me të shtëna armësh, pamje të cilat janë publikuar edhe në rrjete sociale.