Europa voton për Parlamentin, miliona zgjedhës i drejtohen kutive në 21 shtete

Dhjetëra miliona votues në 21 shtete të Bashkimit Evropian votojnë sot, në ditën e fundit të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian. Gjermania, Franca, Italia, Bullgaria, Rumania, Kroacia dhe Hungaria, janë në mesin e shteteve, që sot mund të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në Parlamentin Evropian prej 751 vendesh.


Shtatë shtete të BE-së tashmë kanë votuar, në zgjedhjet, që nisën më 23 maj, dhe rezultatet paraprake pritet të dalin sot pasi të përfundojnë votimet në të gjitha shtetet. Sondazhet sugjerojnë se partitë e ekstremit të djathtë, populistët euro-skeptikë nuk do të kenë rezultate të mira, ashtu siç kishin parashikuar disa vëzhgues. Sondazhet ndërkohë parashikojnë edhe që pjesëmarrja e ulët në zgjedhjet e mëparshme, 43 për qind, të rritet paksa kësaj radhe.

Deri më tani kanë votuar Holanda, Britania e Madhe, Irlanda, Letonia, Malta, Sllovakia dhe Republika Çeke, pasi në këto vende e diela nuk është dita tradicionale e zgjedhjeve. Blloqet e mëdha të partive politike i kanë kthyer këto zgjedhje të nënta për parlamentin e vetëm ndërkombëtar në botë në zgjedhje vendimtare.

Kandidati kryesor i demokristianëve, politikani i CSU-së, Manfred Weber, dhe kreu i socialdemokratëve, Frans Timmermans, komisioneri i BE-së nga Holanda, në këtë fushatë zgjedhore ishin të tërë në një mendje. Ata janë të shqetësuar për kohezionin e BE-së, për mbrojtjen e demokracive “liberale” kundër modelit “joliberal” të përfaqësuar nga nacionalistët dhe populistët.

Sipas sondazheve në 28 shtetet anëtare, populistët e krahut të djathtë dhe kundërshtarët e BE mund të marrin 20 deri 23 përqind të vendeve në parlamentin e ri. Natyrisht, kjo është shifër e mjaftueshme, por jo aq sa për të marrë pushtetin, siç mund të kishin shpresuar ata.

Related posts

Donald Trump drejt fitores në zgjedhje

Avionët e parë luftarakë F-16 mbërrijnë në Ukrainë

Izraeli: Konfirmohet vrasja e liderit ushtarak të Hamasit, Deif