Sot gjatë ditës një delegacion i Trupit Koordinues të Qeverisë së Serbisë për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, në përbërje nga kryetari i Trupit Koordinues, dr. Aleksandar Martinoviq dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të këtij organi Nenad Mitroviq, kanë zhvilluar një vizitë në Preshevë dhe Bujanoc.
Gjatë vizitës së delegacionit të Trupit Koordinues për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, fillimisht janë takuar me kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani, e që pas takimit kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media.
Vizita ka nisur me një takim zyrtar me kryetaren e komunës, Ardita Sinani, ndërsa më pas delegacioni ka vizituar zonën industriale në Çukarkë, ku janë diskutuar mundësitë për zhvillim ekonomik lokal dhe për tërheqjen e investimeve në rajon.
Pas takimit, gjatë një konference për media, janë theksuar dallimet politike ndërmjet dy palëve, veçanërisht në lidhje me statusin e Kosovës dhe çështjen e pasivizimit të adresave në komunat me shumicë shqiptare.
Sinani gjatë deklaratës së saj, tha se Kosova është një shtet i pavarur dhe sovran dhe se ky realitet duhet të pranohet në komunikimin institucional mes palëve.
Ajo kërkoi që çështje të rëndësishme si njohja e diplomave të lëshuara nga institucionet e Kosovës, përfshirja e shqiptarëve në institucionet shtetërore të Serbisë dhe zgjidhja e problemeve praktike të qytetarëve të mos mbeten peng i mospajtimeve politike.
Në anën tjetër, Aleksandar Martinoviq deklaroi se pozicioni i shtetit serb mbetet i pandryshuar dhe se Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Ai theksoi se diplomat e lëshuara nga Kosova nuk mund të pranohen nëse mbajnë simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës, pasi një pranim i tillë do të përbënte njohje të pavarësisë.
Pavarësisht mospajtimeve për çështje të rëndësishme politike, të dy palët u shprehën të hapura për bashkëpunim në fusha që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve. Sinani kërkoi rritje të fondeve për zhvillim ekonomik lokal, investime në arsim dhe shëndetësi, si dhe mbështetje për të rinjtë që përballen me papunësi dhe emigrim.
Martinoviq theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në projektet e përbashkëta dhe u shpreh i gatshëm të mbështesë përpjekjet për të funksionalizuar zonën industriale në Preshevë dhe për tërheqjen e investitorëve që do të mundësonin hapjen e vendeve të reja të punës.
Pas vizitës në Preshevë, delegacioni i Trupit Koordinues sipas agjendës ishte paraparë të takonin kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Enkel Rexhepin, takimi i cili dështoi të realizohej për shkak të pranisë të flamurit shqiptar në zyren e takimeve të KKSH-së.
Në faqen e Këshillit Kombëtar Shqiptar është publikuar një reagim në lidhje me këtë ngjare, përmes të cilit ftohen organet e Serbisë të ndryshojnë ligjin për pakica dhe përdorimin e simboleve kombëtare, duke përmendur si shembull Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.
“Është ligji ai që është diskriminues, si i tillë duhet ai të ndryshohet. Duke marrë shembujt më të mirë në respektimin e kësaj të drejte në shtetet fqinje. Maqedonia e Veriut e Mali i Zi ka kohë që e kanë zgjidhur këtë çështje, duke ju mundësuar pakicave kombëtare që lirshëm ta përdorin simbolet e tyre kombëtare. Edhe Serbia duhet ta ndjek këtë shembull.” thuhet në reagimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në rrjetin shoqëror Facebook.
Derisa në lidhje me këtë ngjarje shërbimi i Trupit Koordinues për komunat Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, ka lëshuar një komunikatë për opinionin.
Në këtë komunikatë mes tjerash shpjegohet se kryetari i Trupit Koordinues i shoqëruar nga U:D. i drejtorit të këtij organi qeveritar, pasiqë fillimisht nuk është larguar flamuri shqiptar, e që si zgjidhje është propozuar që takimi të mbahet në një hapësirë tjetër ku nuk ka simbole kombëtare, gjë që është refuzuar nga kryetari i KKSH-ës, Enkel Rexhepi.
“Megjithatë, mbledhja nuk u mbajt sepse Kryetari i Këshillit, Enkel Rexhepi, nuk pranoi që flamuri shqiptar të hiqej nga salla ku do të mbahej mbledhja, edhe pse kjo ishte kërkuar në përputhje me ligjet dhe rregulloret në fuqi. Me sugjerimin e Dr. Aleksandar Martinoviq për ta zhvendosur mbledhjen në një sallë tjetër, në mënyrë që bisedimet të mund të zhvilloheshin ende, Kryetari i Këshillit e hodhi poshtë këtë mundësi, pas së cilës përfaqësuesit e Trupit Koordinues u larguan nga ambientet e Këshillit.” thuhet në komunikatën e lëshuar nga shërbimi i Trupit Koordinues.