Bujanoci shënon një sukses të ri sportiv përmes talentit dhe përkushtimit të basketbollistes së re Nejira Zeqiri, e cila është përzgjedhur të marrë pjesë në kampin nacional të Reprezentacionit U14 të Kosovës.
Ajo është përzgjedhur në mesin e 60 pjesëmarrësve nga e gjithë Kosova, duke përfaqësuar me krenari Klubin e Basketbollit “Elita” dhe qytetin e saj të lindjes.
Ky moment historik është pritur me emocione të mëdha nga trajneri i klubit “Elita”, Gent Aliti, i cili përmes një shkrimi të ndjerë ka ndarë rrugëtimin e tij dhe të klubit drejt këtij suksesi. “Në nëntor të vitit 2022, mora frymën e parë si trajner në një turne mbarëkombëtar në Prishtinë. Që nga ajo ditë, kemi kaluar vite të mbushura me sfida, emocione e shumë mund,” ka shkruar ai.
Sukseset e klubit “Elita” nuk kanë munguar as në vitet e fundit: vajzat U12 janë kualifikuar për herë të parë në ligën cilësore, ndërsa djemtë U14 kanë fituar ligën dimërore dy herë radhazi. Por përzgjedhja e Nejira Zeqirit nga Kombëtarja e Kosovës vlerësohet si kulmi i punës shumëvjeçare dhe përkushtimit të gjithë ekipit.
Trajneri Aliti ka falënderuar bashkëpunëtorin e tij të ngushtë dhe pronarin e klubit, Albion S. Selimi, për besimin dhe mundësinë që i ka dhënë për të ndërtuar një rrugëtim me kuptim. Ai gjithashtu ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së marrë nga Këshilli Kombëtar Shqiptar, përmes fondeve të ndara nga Qeveria e Republikës së Kosovës, që kanë qenë vendimtare për zhvillimin e fëmijëve të këtij komuniteti.
Një falënderim i veçantë i është dedikuar edhe Albin Fetahut, ish-lojtar dhe sot bashkë-trajner në klub, i cili së bashku me Alitin ka ndarë çdo barrë dhe përgjegjësi për suksesin e të rinjve. “Nuk kemi punuar për të bërë përshtypje, kemi punuar për të bërë ndryshim,” shkruan Aliti, duke theksuar se puna e tyre për më shumë se dy vjet është bërë pa shpërblim financiar, por me shumë dashuri dhe përkushtim.
Përzgjedhja e Nejira Zeqirit është më shumë se një arritje personale — është një dëshmi se puna vullnetare, kur bëhet me zemër, sjell ndryshime reale. Dhe siç përfundon Aliti: “Ky është vetëm fillimi. E ardhmja është para nesh dhe e ndritshme.”/LuginaLajmi.com