Pas çertifikimit të rezultateve zgjedhore në Preshevë nga KKZ, PVD dhe PDSH kanë filluar bisedimet për krijimin e shumicës së re për të udhëheqë me Komunën e Preshevës.
Komisioni Komunal Zgjedhor më 15 qershor ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve lokale në Preshevë, me ç’rast ka hapur rrugë për negociata ndërpartiake me qëllim të krijimit të koalicionit qeverisës që do të udhëheqë me Preshevën për katër vitet e ardhshme.
Partia për Veprim Demokratik e udhëhequr nga Ardita Sinani, e cila ka dalë e para në zgjedhje, ka inicuar bisedimet me Partinë Demokratike Shqiptare të Ragmi Mustafës.
PreshevaPRESS ka mësuar nga burimet e saja në të dy anët se takimi i parë mes PVD-së dhe PDSH-së, është realizuar të marten e kaluar më 18 qershor, derisa takimi i dytë në lidhje me këtë temë është mbajtur mbrëmjen e së shtunës.
Edhe pas dy tentativave, nuk është arritur përafrim, pasi PVD nuk ka gatishmëri të pranojë kushtin e PDSH-së për ndarjen e mandatit të kryetarit të Komunës me rotacion nga dy vite, duke i takuar PDSH-së dy vitet e para, derisa PVD-së dy vitet e fundit të mandatit katërvjeçar.