DËMTOHET MURALI I REALIZUAR DITË MË PARË NË SHKOLLËN FILLORE NË BUJANOC

Është dëmtuar murali i realizuat nga organizata joqeveritare “Beyond” nga Bujanoci, ditë më parë në hyrje të shkollës fillore “Naim Frashëri” në Bujanoc. 


Murali i realizuar në Shkollën Fillore “Naim Frashëri” në Bunanoc synonte që përmes artit (muralit) të shprehë mirënjohje për të dyja shtetet, Republikën e Shqipërisë dhe Kosovës për sigurimin e teksteve në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë të Luginës.

Nën mbështetjen e Komunës së Bujanocit dhe përmes bashkëpunimit me drejtorin e shkollës, Fadil Ebibi, organizata “Beyond” kishte realizuar një mural, në të cilin ishin vizatuat krahët e shqiponjës.

“Qëllimi i aktivitetit të sotëm të cilin e realizuam në Shkollën Fillore “Naim Frashëri” në Bunanoc ishte që përmes artit (muralit) të falemnderojmë të dyja shtetet, Shqipërin dhe Kosovën që bënë një punë shumë të vyer për nxënësit Shqiptarë të Luginës së Preshevës të cilët ndryshe nga vitet tjera këtë shtator e filluan me teskte në gjuhën Shqipe.” thuhej në njoftimin e organizatës Beyond, i publikuar në faqen e saj ë facebook.

Gjashtë ditë më vonë murali i realizuar nga organizata “Beyond” në shkollën fillore “Naim Frashëri” në Bujanoc, persona të panjohur kanë dëmtuar atë duke shkarravitur mbi të dhe duke shkruar fjalinë më të njohur nacionaliste në Serbi “Kosova është Serbi” në shkrimin cirilik.

“Nuk kemi informacione të plota si ka ndodhur dhe nga kush është dëmtuar murali i realizuar nga organizata jonë disa ditë më parë, mural i cili shpreh falemnderim për Republikën e Shqipërisë dhe Kosovës për kontributin e dhënë në sigurimin e teksteve mësimore për nxënësit shqiptarë në Luginë. Fakti se shkolla “Naim Frashëri” në Bujanoc është shkollë fillure ku mësojnë nxënësit shqiptarë nuk nënkupton në asnjë moment se murali i realizuar, ka për qëllim për provokuar apo nxitur urrejtje mes të rinjëve të komuniteteve që jetojnë në Bujanoc.”  ka thënë për PreshevaPRESS Bukurie Boriçi, drejtoreshë e organizatës joqeveritare Beyond nga Bujanoci.

Për dëmtimin e muralit gjithashtu ka reaguar edhe kryetari i KNSH-së, Ragmi Mustafa, i cili ka thënë se ky gjest është vetëm një treguas i klimës dominuese shoqërore në Serbi kundër pakicave në përgjithësi dhe shqiptarëve në veçanti.

Këshilli Kombëtar Shqiptar ka shprehur indinjatën dhe shqetësimin e tij lidhur me rritjen e shqiptarofobisë në Serbi, duke ftuar organet përgjegjëse në Bujanoc që të zbatojnë ligjin kundër përhapësve të gjuhës së urrejtjes.

PreshevaPRESS ka mësuar se në tanimë njësiti i stacionit policor nga Vraja ka filluar procedurat dhe ndërmarrë hapat e paraparë me ligj për të zbuluar autorët e dëmtimit të muralit.

Related posts

Sinani e Pajaziti në takim me përfaqësues të Ministrisë së Tregtisë të Serbisë

Përfaqësuesit e Ambasadës së Britanisë së Madhe në Bujanoc dhe Preshevë

Komuna e Bujanocit vendosë partneritet me Haraçinën