Virusi vdekjeprurës, COVID-19, po shfaqë probleme në të gjithë globin, ku shumë vende kanë filluar të vetë-karantinohen.
Pas SHBA’ve të cilët u izoluan nga Evropa, duke e vënë në fuqi ndalimin e fluturimeve për evropianët drejt Amerikës, edhe Gjermani ka ndërmarrë një hap të tillë, por me shtetet fqinje të saj.
Shteti gjerman ka vendosur të mbyllë kufijtë me Francën, Austrinë dhe Zvicrën për të përmirësuar parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Që nga nesër, e hënë 16 mars, Gjermania do të izolohet nga këto shtete, të cilat më së shumti e shfrytëzojnë hyrjen në këtë vend për të blerë mallra dhe për të punuar.
Sipas gazetës gjermane Bild, mbyllja e kufijve nuk është vetëm për shkak të përhapjes së kësaj epidemie, por edhe për të parandaluar blerjet e pjesës më të madhe të të huajve të cilët po shkaktojnë probleme të furnizimit në zonat përreth kufijve.
Gjermania ka 5,426 raste koronavirus, me 11 të vdekur, sipas shifrave zyrtare.
Kancelarja Angela Merkel pranoi masën, të cilën policia do ta zbatojë, me drejtuesit rajonalë të vendit. Madje, ajo u ka kërkuar njerëzve që të zvogëlojnë kontaktin social, përfshirë fëmijët që ndalojnë së vizituari gjyshërit e tyre.
“Të gjithë mund të kontribuojnë me sjelljen e tij ose të saj personale në mënyrë që shpejtësia me të cilën njerëzit të infektohen të ngadalësohet në mënyrë që sistemi ynë i kujdesit shëndetësor të mos mbingarkohet”, ka thënë ajo.