Ditë më parë, saktësisht 15 ma 2020 rreth orës 13:00, përmes një postimi në faqen e tij në facebook, Shqiprim Arifi ka njoftuar se ka liruar nga detyra, Kryeshefin e inspektoratit komunal të Preshevës Enver Aliu, me arsyetimin sepse “Askush nuk qëndron mbi ligjin” siç ka thënë Arifi në këtë njoftim.
Enver Aliu është shkarkuar për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, e që ka të bëjë me fillimin e një ndërtimi pa leje në rrugën “Qemal Shehu” nga ana e vet Enver Aliut.
“Askush nuk qëndron mbi ligjin, prandaj personi në fjalë LIROHET menjëherë nga funksioni i ushtruar dhe më tej nuk i vazhdohet kontrata e punës (e cila ishte e perkohshme).” thuhet mes tjerash në njoftimin e të parit të Preshevës, Shqiprim Arifi, në faqen e tij në facebook.
Mirë por, përmes bisedave telefonike, PreshevaPRESS ka mësuar se Shqiprim Arifi ka shkarkuar nga detyra Kryeshefin e inspektoratit komunal vetëm përmes facebook, duke manipuluar me publikun dhe nënshkruesit e ankesës së dorëzuar në fillim të majit në lidhje me këtë problem.
Deri në momentin e raportimit të lajmit, nuk është publikuar e siç mëson PreshevaPRESS, as nuk është proceduar asnjë dokument zyrtar për shkarkimin e Enver Aliut nga ana e Kryetarit të Preshevës e as Kabinetit të tij, që nënkupton se Arifi ka dalë vet mbi ligjin duke mos e shkarkuar Enver Aliun dhe duke manipuluar me publikun.
Burime e PreshevaPRESS nga Komuna e Preshevës, thonë se Enver Aliu, i cili ende në bazë të ligjit në fuqi llogaritet si Kryeshef i inspektoratit komunal të Preshevës, pas denoncimit të rastit në komunë, ka pranuar ofertë nga Kryetari i Komunës së Preshevës për tu dorëhequr nga pozita në mënyrë që të radhitet në një pozitë tjetër në kuadër të Komunës së Preshevës. Pasi që Kryeshefi inspektoriatit komunal, Enver Aliu, nuk ka pranuar ofertën e Arifit, Kryetari i Preshevës, përmes njoftimit në facebook ka gënjyer publikisht se ka liruar nga pozita Kryeshefin e inspektoriatit komunal, Enver Aiu.
Siç ka mësuar PreshevaPRESS, Enver Aliu momentalisht gjendet në pushim mjekësor, gjë që e bën të pamundur dhe antiligjor shkarkimin e tij nga ky pozicion, edhe pse përmes një njoftimi në faqen e Komunës së Preshevës në facebook, thuhet se “deri në emërimin e zyrtarit të ri, detyrën e udhëheqësit të Drejtoratit të inspektoriatit do t’a kryej kryeshefi i Administratës komunale z. Agim Ymeri.”