Shqiprim Arifi ende pa themeluar partinë e tij politike filloi të premtoj kthimin e gjykatës themelore dhe prokurorisë, por gjatë kohës ai ndryshoi kërkesat disa herë karshi qeverisë. PreshevaPRESS ju sjell edhe një dokument përmes të cilit shihet se i pari i Preshevës përsëri ka ndryshuar kërkesën.
Pas aktualizimit të problematikës në lidhje me kthimin e Gjykatës themelore në Preshevë, PreshevaPRESS publikoi për herë të parë dokumentin përmes të cilit udhëheqja e Komunës së Preshevës, kryesisht vet Shqiprim Arifi më 20.01.2018 kërkoi Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Serbisë që të hapë njësi të gjykatës dhe prokurorisë, e jo kthimin e Gjykatës themelore dhe prokurorisë siç kishin premtuar që nga themelimi i APN-së e deri më tani.
Pas kësaj shkrese të dërguar Ministrisë së Drejtësisë të Republikës së Serbisë, kryetari Arifi gjatë një interviste më 25.12.2018 për portalin Presheva.com pati deklaruar “se për fillim do të hapet një njësi e gjykatës në Preshevë falë angazhimit të Ambasadës Amerikane në Beograd, proces i cili po vonon për shkak të vdekjes së një kryetari të gjykatës i cili do të duhej të vendoste për datën e hapjes së kësaj njësie”.
Mirë por, PreshevaPRESS për lexuesit e saj sjell ekskluzivisht edhe një dokument i cili dëshmon se Shqiprim Arifi ka keqinformuar publikisht qytetarët e Preshevës, pasi që para se të realizonte intervistën në të cilën ka deklaruar se do të hapet një njësi e gjykatës, kryetari Arifi më 27.08.2018 përmes një shkrese ka kërkuar nga Gjykata themelore në Bujanoc që të organizonte “gjykime ditore” në Preshevë, apo “ditët e gjykimit” siç po e quan opozita.
“Duke ditur se procesi i ndryshimit të ligjit është shumë i vështirë, respektivisht për të propozuar ndryshimin e ligjit përmes nenit 107 të Kushtetutës së Republikës së Serbisë të drejtë propozimi të ligjit kanë më së paku 30000 votues, proces që është shumë i vështirë dhe pa garanci që ligji i propozuar të votohet në Kuvendin Republikan, propozojmë që për të u zbutur padrejtësia dhe diskriminimi i banorëve të komunës së Preshevës, në të njëjtën komunë para se të themelohet njësia e gjykatës dhe prokurorisë në Preshevë, në bazë të nenit 17 dhe 18 të Ligjit për organizimin e gjykatave. Gjykatat themelore, të larta, tregtare dhe ato për kundërvajtje munden që jashtë hapësirave të saja të organizojnë “GJYKIME DITORE”, vendin, datën dhe ditës e të cilave cakton kryetari i gjykatës në përputhshmëri me Rregulloren e gjykatës“ thuhet në kërkesën për organizimin e gjykimit ditorë në Preshevë, të dërguar nga Shqiprim Arifi më 27.08.2018 Gjykatës themelore në Bujanoc.
PreshevaPRESS edhe një herë publikon për herë të parë një dokument që dëshmon se brenda një viti Shqiprim Arifi ka ndryshuar kërkesën në lidhje me gjykatën derisa në publik premtimi ka mbetur i njëjtë. A ka keqinformuar qytetarët me apo pa qëllim kryetari i Preshevës Shqiprim Arifi, mbetet të shihet ditëve në vijim.