Aleanca për Luginën aprovon Deklaratë Politike

Me praninë e një pjese të anëtarëve të Këshillit inicues në mbledhjen e mbajtur mbrëmë në selinë e saj, Aleanca për Luginën, ka aprovuar Deklaratë Politike.


Pas shpalljeve të zgjedhjeve lokale, Aleanca për Luginën ka filluar përatitjet për pjesëmarrje në garën politike për të udhëhequr me Komunën e Preshevës, duke përpiluar platformën dhe programin zgjedhor.

Në vazhdim ju sjellim Deklaratën Politike të Aleancës për Luginën të miratuar mbrëmë në Këshillin inicues:

“Demokracia është thelbësore për zhvillimin dhe funksionimin e shoqërisë, prandaj Aleanca për Luginën beson fuqishëm se angazhimin politik, do ta përdorë si mjet të fuqishëm për të përmirësuar gjendjen e përgjithshme shoqërore, si në fushën arsimore, ekonomike, sociale, kulturore, shëndetësore, barazinë gjinore, sportin, etj.

Aleanca për Luginën si iniciativë politike, lindi si nevojë e kohës, sidomos pas kontaminimit politik në Luginë të Preshevës e veçmas pas zhvillimeve politike në Komunë të Preshevës, ku tash e sa vite po shoqërohet me destabilizim politik e zgjedhje të jashtëzakonshme lokale, pushtete lokale pa vizion e llogaridhënie dhe në shërbim të interesave klienteliste, ku për pasojë është mbjellur gjuha e urrejtjes, janë shkaktuar përçarje familjare, gjendje këto që kanë humbur shpresën për qytetarët e sidomos për rininë preshevare.

Aleanca për Luginën vlerëson se gjendja e përgjithëshme shoqërore e shqiptarëve të Luginës së Preshevës është në pozitë jashtëzakonisht të vështirë, si rezultat i politikave të qeverive serbe si dhe përçarjeve të thella në mes të spektrit politik shqiptar, prandaj unifikimin e faktorit politik shqiptar e sheh të domosdoshëm me qëllim të realizimit të të drejtave individuale dhe kolektive të shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

Aleanca për Luginën konsideron se derisa nuk bëhet një zgjidhje e drejtë e çështjes së shqiptarëve të Luginës, rajoni do të vazhdoj të mbetet vatër e krizës permanente dhe pengesë për integrime euroatlantike, prandaj i bënë thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës që në kuadër të dialogut për normalizimin e marëdhënieve në mes Kosovës e Serbisë, i lehtësuar nga Bashkimi Europian, të përfshihet çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Me qëllim të realizimit të interesave dhe të drejtave të shqiptarëve deri në zgjidhjen e statusit politik të Luginës së Preshevës, Aleanca për Luginën në vazhdimësi do të intensifikoj dhe koordinoj veprimet politike dhe bashkëpunimin me ndërkombëtarët si dhe faktorin politik shqiptar në rajon, në veçanti me Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë.

Aleanca për Luginën rikonfirmon verdiktin popullor të shprehur në Referendumin e 1 dhe 2 marsit të vitit 1992, Luftën e UÇPMB-së e konsideron të lavdishme dhe përpjekje për çlirim, ndërsa përkrahë fuqishëm Platformën politike të 14 janarit të vitit 2006 si dhe Platformën për masat urgjente për afirmimin e të drejtave të shqiptarëve (Plani 7 pikësh)të miratuara nga Kuvendi i këshilltarëve shqiptar (Preshevë, Bujanoc e Medvegjë).

Aleanca për Luginën konsideron se është e domosdoshme që në periudhën vijuese të rikthehet organizimi i seancave nga Kuvendi i këshilltarëve shqiptar (Preshevë, Bujanoc e Medvegjë), për të trajtuar problemet politike e për të sjellur vendime mbi pozitën e vështirë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Përpjekjet e Aleancës për Luginën në zgjedhjet e parakoshme lokale do të fokusohen në ndërtimin e një programi zgjedhorë specifik për nevojat e qytetarëve të komunës së Preshevës, ndërsa besimin e marrë qytetar, Zotohemi se do ta kemi duke respektuar secilin individ me angazhim të sinqertë, transparencë, llogaridhënie e bashkëpunim.
Aleanca për Luginën zotohet për avancimin e pozitës së gruas dhe angazhimin e saj në jetën aktive politike përmes kyçjes në organet vendimmarrëse dhe në udhëheqje me institucionet e pushtetit lokal.

Aleanca për Luginën zotohet për avancimin e të rinjëve dhe angazhimin e tyre të fuqishëm në të gjitha nivelet e organizimit politik, por edhe organet meritore të vetqeverisjes lokale.

Programi zgjedhorë i Aleancës për Luginën do të përfshijë edhe diasporën e cila si burim ekonomik mund të kthehet në një burim zhvillimi për ekonominë e komunës së Preshevës.

Aleanca për Luginën fton secilin qytetar të komunës së Preshevës për angazhim të përbashkët, që të promovojmë ide dhe vlera të reja, duke u fokusuar në përmirësimin e gjendjes në vendin tonë.”

Preshevë, 25 prill 2024
Këshilli iniciativ i Aleancës për Luginën


Të gjitha informacionet në lidhje me Zgjedhjet lokale në Luginë mund t’i gjeni duke klikuar në këtë vegëz apo në faqen NË FOKUS nën seksionin ZGJEDHJET LOKALE 2024.

Related posts

Publikohet lista e përfituesve në konkursin për masat e efikasitetit energjetik në Preshevë për vitin 2023

Dokument / Pozitat udhëheqëse që do të i takojnë Aleancës për Luginën në Komunën e Preshevës

KDNJ ka mbajtur tribunën “(Mos)integrimi i pakicës kombëtare shqiptare në Serbi”