Mbrëmë në karantinë në Qendrën e Studentëve, janë vendosur edhe 65 qytetarë të Kosovës të cilët kanë qenë me punë të përkohshme në Kroaci, raporton Ekonomia Online.
Në këtë Qendër tani janë të vendosur 312 qytetarë. Kështu ka bërë të ditur në një intervistë për Ekonomia Online, drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta.
Sfishta ka treguar se prej shndërrimit në karantinë në konvikte janë trajtuar mbi 900 qytetarë të cilët para pandemisë kanë rastisur të jenë jashtë Kosovës.
“Një kontingjent me qytetarë tonë kryesisht nga shteti i Kroacisë që kanë qenë në punë të përkohshme atje kanë ardhur mbrëmë dhe janë vendosur në Qendrën e Studentëve përkatësisht në konviktin numër 6. Numri i tyre ka qenë 65. Deri në orët e vona pasmesnatës ne kemi arritur që t’i vendosim nëpër dhomat e tyre ashtu siç i kemi rekomandimet edhe nga mjekët. Për momentin i kemi 312 veta. Mbi 900 persona janë trajtuar prej fillimit këtu. Shumica e tyre vetëm kanë dalë sepse kanë rezultuar negativ gjatë testimit për virus”, tha Sfishta për EO.
Ai ka treguar se qytetarët qëndrojnë nga 14 ditë të karantinuar.
Sfishta tutje ka thënë se edhe për stafin e QS-së, kjo ka qenë një punë e vështirë.
“Kjo është një punë e re që neve është dashur domosdo ta mësojmë, pa dëshirën tonë, por ne kemi qenë më të përafërt që kemi mundur ta mësojmë këtë punë sepse kemi punuar me studentë. Këta duan trajtim më ndryshe, ka ndërruar gjendja, është kohë epidemie. Punë e vështirë por ditë për ditë po mësojmë gjëra të reja. Kjo është në funksion të atyre njerëzve që të kalojnë sa më lehtë këto ditë të karantinimit”, ka thënë ai.
Sfishta ka treguar se prej më shumë se 900 të karantinuarve, vetëm 6 kanë dalë pozitiv me Coronaviurs.
I pyetur se a po ndihmohen nga Ministria e Shëndetësisë, Sfishta ka thënë se ministria është duke e bërë furnizimin me pako higjienike për të karantinuar, veshje, maska, dorëza, për vullnetarët dhe stafin e QS-së, të cilët kanë kontakt të drejtpërdrejt me të karantinuarit.