Shtëpia e Kulturës “Abdulla Krashnica” dhe Teatri i Qytetit të Preshevës kanë njoftuar organizimin e edicionit të 20-të të Festivalit “Ditët e Komedisë Shqiptare – Presheva 2025”, i cili do të mbahet nga data 15 deri më 20 dhjetor 2025.
Ky festival tradicional, i cili tashmë është shndërruar në një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në trojet shqiptare, do të mbledhë në Preshevë trupa teatrore nga Republika e Shqipërisë, Republika e Kosovës, Republika e Maqedonisë së Veriut, si dhe trupën vendore të Teatrit të Preshevës.
Festivali mban karakter garues, ndërsa vlerësimi i shfaqjeve dhe përcaktimi i çmimeve do të bëhet nga një Juri Profesionale, e cila emërohet posaçërisht nga organizatorët e aktivitetit.
Këtë vit, edicioni i 20-të shënon një jubile të rëndësishme kulturore, duke përforcuar rolin e festivalit si një platformë e rëndësishme për promovimin e komedisë shqiptare, bashkëpunimit ndërteatror dhe zhvillimit artistik në rajon.
Organizatorët kanë bërë të ditur se të gjitha përgatitjet janë drejt përfundimit dhe se publiku do të ketë mundësinë të shijojë një program të pasur artistik përgjatë pesë netëve të festivalit.

