Shumë vende janë zotuar se do të ndihmojnë Australinë teksa kjo e fundit është duke luftuar zjarret masive që kanë përfshirë vendin për muaj me radhë.
Por, ndërsa gjendja e emergjencës është shpallur në Nju Sauth Uejls në fund të dhjetorit, shteti australian ende nuk ka bërë thirrje zyrtare për të marrë ndihma ndërkombëtare.
Teksa kryeministri Scott Morrison është kritikuar ashpër për menaxhimin e krizës, shumë vende kanë nisur të ofrojnë personel shtesë për të ndihmuar.
Vendet fqinje
Zelanda e Re i është përgjigjur menjëherë katastrofës, duke dërguar 157 zjarrfikëse dhe personel shtesë në Australi që nga tetori, duke premtuar më pas në 3 janar se do të dërgonte dhe 22 zjarrfikëse të tjera si dhe 3 helikopterë.
“Kam qenë në kontakt me kryeministrin australian sërish këtë javë për të shprehur mbështetjen tonë dhe për t’i ofruar çfarëdolloj ndihme që ne mund të japim. Australia qëndroi përkrah nesh përgjatë disa momenteve të tmerrshme në 2019-n, dhe jemi këtu për të bërë të njëjtën gjë,” shkruan Ardern në Facebook.
Kryeministri i Papua Guineas së Re, një ishull në veri të Australisë, tha në 5 janar se do të dërgonte 1 mijë ushtarë dhe forca zjarrfikëse, nëse kryeministri australian do ia kërkonte.
Shikoni më poshtë hartën e zjarreve aktive në Australi:
Vende të tjera që kanë ofruar ndihmë
Shtetet e Bashkuara kanë dërguar 100 zjarrfikëse amerikane në dhjetor, 44 anëtarë të shërbimeve të pyjeve në 30 dhjetor, si dhe 21 të tjerë në 4 janar.
Zjarrfikësit kanadez i janë bashkuar përpjekjeve për shuarjen e zjarreve duke rikujtuar ndihmën që Australia ka dhënë në kohën kur Kanadaja ishte përfshirë nga zjarret.
Nëpërmjet një postimi në Twitter, kryeministri Justin Trudeau tha se asokohe “Australia iu përgjigj thirrjes tonë për ndihmë. Tani, kanadezët po bëjnë të njëjtën gjë”.
Presidenti Francez Emmanuel Macron lajmëroi të hënën se kishte komunikuar me kryeministrin Morrison për t’i ofruar ndihmë “për të luftuar zjarret, mbrojtur popullatën dhe ruajtjen e bio-diversitetit”.
Edhe vende të tjera gjithashtu kanë ofruar ndihmën e tyre, duke përfshirë departamentet zjarrfikëse në Belgjikë si dhe Singapori, i cili ka ofruar helikopterë për të luftuar zjarret, ndihmë të cilën kryeministri australian e ka mirëpritur.