Mijëra protestues kanë hyrë në javën e trembëdhjetë të protestave në Francë, duke rritur kështu presionin ndaj presidentit Emmanuel Macron.
Protestuesit e njohur si “Xhaketat e Verdha” kanë marshuar të shtunën në Paris ku ndodhën disa përleshje dhe përballje me autoritetet e rendit, si dhe një protestues lëndoi dorën me një eksploziv të vogël, shkruan Rel.
Dyshohet se viktima e ka kapur një granatë të gazit lotsjellës e cila i ka shpërthyer në dorë.
Protestat masive në Francë filluan në mes të muajit nëntor të vitit të kaluar, kundër ngritjes së çmimit të naftës dhe më pastaj rezultoi me rritjen e pakënaqësisë ndaj qeverisjes së Macronit.
Disa protestues kanë hedhur mjete të forta ndaj forcave të sigurisë, si dhe dogjën një veturë të policisë, e disa xhama të dyqaneve u dëmtuan.
Ministria e Punëve të Brendshme tha se numri total i protestuesve në Francë ka arritur në 12,000, duke përfshirë 4 mijë në Paris.