Personi i armatosur që vrau aktivistin e shquar konservator Charlie Kirk mbetet në arrati pas asaj që policia e quan një “sulm të synuar” në një kolegj në Utah.
Besohet se vetëm një person ishte i përfshirë në të shtëna, tha guvernatori i Utah-ut, Spencer Cox, i cili e quajti vrasjen e Kirk-ut një “vrasje politike”, sipas CNN.
Presidenti Donald Trump e përshkroi vdekjen e Kirkut si një “ditë të errët për Amerikën” dhe fajësoi retorikën e “së majtës radikale” për nxitjen e dhunës politike.
Kirk u plagos për vdekje ndërsa fliste në një aktivitet në Universitetin Shtetëror të Luginës së Utahut, një institucion publik i arsimit të lartë në qytetin e Orem. Sulmuesi qëlloi me një plumb, tha Komisioneri i Departamentit të Sigurisë Publike të Utahut, Bo Mason, duke shtuar se “sulmi ishte i drejtuar dhe në shënjestër të një personi”. Besohet se sulmuesi qëlloi nga çatia e një ndërtese.
Kirk u qëllua me armë zjarri ndërsa po përgjigjej një pyetjeje nga publiku në lidhje me të shtënat masive. Pasi u plagos, ai u transportua me automjet privat në Spitalin Rajonal Timpanogos, ku vdiq, thanë autoritetet.
Presidenti shprehu “trishtimin dhe zemërimin” e tij për vrasjen e Kirkut në një video-adresim nga Zyra Ovale.
“Charlie frymëzoi miliona njerëz dhe sonte të gjithë ata që e njihnin dhe e donin janë të bashkuar në tronditje dhe tmerr”, tha Trump në videon katër-minutëshe.
Të shtënat që vranë Kirk vijnë pas një sërë dhune politike në SHBA, përfshirë vrasjen e një ligjvënëseje nga Minesota dhe bashkëshortit të saj në qershor, një sulm me zjarrvënie në rezidencën e guvernatorit në Pensilvani në prill dhe një atentat ndaj Donald Trump gjatë zgjedhjeve presidenciale në korrik.
Drejtori i FBI-së, Cash Patel, tha sot se personi i ndaluar nën dyshimin për vrasjen e komentatorit konservator Charlie Kirk është liruar pas marrjes në pyetje nga policia.
“Hetimi ynë është duke vazhduar dhe ne do të vazhdojmë të publikojmë informacione në interes të transparencës”, tha ai në një postim në X.
Në të njëjtën kohë, Departamenti i Sigurisë Publike i Utah-ut njoftoi se të dy personat e arrestuar në këtë rast janë liruar sepse “nuk kanë lidhje me të shtënat” e Kirk-ut./Euronews Albania