Manchester City ka siguruar biletën për në gjysmëfinale duke eliminuar Bayern Munichun me rezultat të përgjithshëm 4:1.
Pasi fitoi 3:0 në “Etihad Stadium”, Man City nxori një barazim 1:1 në ndeshjen kthyese për të siguruar avancimin në fazën tjetër.
Bayern e nisi shumë më mirë pjesën e parë duke rrezikuar me anë të Leroy Sane, i cili dështoi të shënonte përballë portierit pas një pasimi të Musialas.
Situata mund të vështirësohej për Bayernin, mirëpo një pozitë jashtë loje e shpëtoi mbrojtësin Dayot Upamecano nga kartoni i kuq pas një ndërhyrje të rëndë te Erling Haaland.
Gjermani sërish nuk ishte në formën më të mirë duke shkaktuar një penallti pas një prekje të topit me dorë, mirëpo që Erling Haaland s’arriti ta konkretizojë (37′).
Në pjesën e dytë, Bayern prapë nisi të sulmojë më shumë duke provuar me sulmuesit e krahut, mirëpo mbrojtja mysafire ishte thjesht e pathyeshme.
Derisa gjiganti gjerman sulmonte, Man City krijoi një kundëraksion ku Kevin de Bruyne gjeti Haaland, i cili dribloi Upamecanon dhe shënoi nga afërsia për të kaluar mysafirët në epërsi (57′).
Bayern Munich nuk u dorëzua por e vetmja gjë që arriti ishte goli i nderit me anë të Joshua Kimmich, që shënoi nga pika e bardhë pasi Akanji preku topin me dorë brenda zonës (83′).
Kështu, kjo aventurë evropiane për Bayern Munichun merr fund, derisa Man City do të përballet me kampionin në fuqi, Real Madrid në gjysmëfinale.
Ndeshja e parë do të zhvillohet më 9 maj në “Santiago Bernabeu”, kurse ajo kthyese një javë më vonë në “Etihad Stadium”.