Ish-kryetari i Prishtinës dhe ish-nënkryetari i Vetëvendosjes, Shpend Ahemti, ka drejtuar një varg kritikash ndaj Qeverisë Kurti.
Ahmeti tha se agjendën po e udhëheqin me tema që janë anësore dhe për të nxitë një reagim emocional, pasi sipas tij, propaganda këtë punë e ka.
“Është prezantimi selektiv i fakteve për të nxitur reagim emocional, e ku ka më lehtë sesa te ne shqiptarët e Kosovës për të nxitur reagim emocional, duke na folur për dinarin, për qirilicën e për gjëra të tilla, e nuk kanë faj as bashkësia ndërkombëtare që na shohin momentalisht, sepse në gjashtë muajt e fundit ne e kemi targetuar me politika vetëm komunitetin serb”.
Tutje, Ahmeti foli edhe për raportet e Qeverisë së Kosovës me udhëheqësit shqiptar të shteteve në rajon, duke kritikuar Kurtin për marrëdhëniet me Ramën, Xhaferin e Arifin.
“Sot neve po na pengon Edi Rama në Shqipëri, nuk e urojmë për bazën e parë të Natos, atë ditë është takuar me një antropologe amerikane dhe e ka çit në facebook, nuk e ka uru, kur vendoset për e ardhmja e ballkanit në Samitin e Ballkanit shkon në Belfast jep ligjeratë atje, kur vjen Talat Xhaferi në Kosovë, nuk e pret, Pendarovskin e ka takuar, Shqiprim Arifi i pengon në Preshevë, more ndoshta krejt e kanë gabim, por a ka një gjasë të vogël që ne e kemi gabim” ka shtuar Ahmeti në emisionin Info Magazinë të Klan Kosovës.