Tre mijë e 370 shqiptarë të Luginës së Preshevës janë fshirë nga listat e votimit në Serbi në periudhën 2015-2022, sipas një raporti që është publikuar nga Iniciativa e Rinisë për të Drejtat e Njeriut.
Haki Emini, aktivist i të drejtave të njeriut, deklaroi se raporti në fjalë është plotësisht i pasaktë, pasi sipas tij, para 3-4 muajsh është publikuar në media serbe edhe ato të Kosovës dhe se një raport i tillë i është dërguar edhe kryeministrit Kurti, ku flasin argumentet se janë më shumë se 10 mijë adresa të pasivizuara.
Siç u shpreh për emisionin Edicioni Special në Klan Kosova, problemi kryesor këtu është se njerëzve nuk u jepet vendimi që i është marrë adresa.
“Vetëm në komunën e Medvegjës i kemi më shumë se 5 mijë adresa të pasivizuara, dhe prej tyre një shumicë shumë vogël kanë marrë vendime. Për ta kërkuar vendimin duhet të paguhet një taksë atje në xhirollogarinë serbe. Pra shqiptarët nuk dinë gjë deri në atë moment kur shkojnë ta vazhdojnë letërnjoftimin, dhe ajo zyrë i thotë se ‘nuk je në sistem’ dhe me atë kryhet. Më nuk guxon as ta ngrisësh zërin sepse të kërcënojnë që do ta thërrasin policinë”, deklaroi Emini për Klan Kosova.