Uniformat e reja bashkojnë nxënësit, prindërit e mësimdhënësit e shkollës “Prof. Ibrahim Kelmendi”

Shkolla fillore “Prof. Ibrahim Kelmendi” ka njoftuar prindërit për vendimin e ri lidhur me uniformat shkollore që do të përdoren gjatë vitit të ardhshëm shkollor, duke theksuar se këtë herë në proces janë përfshirë vetë nxënësit përmes Parlamentit të tyre.


Sipas njoftimit të publikuar nga shkolla, uniformat do të jenë me ngjyrë të zezë për djemtë dhe ngjyrë teget (kaltër e mbyllur) për vajzat. Ato përbëhen nga jelek dhe duks, ndërsa gjatë muajve të verës do të përdoret maica si pjesë e uniformës.

Në ndryshim nga vitet e kaluara, kur kishte pakënaqësi për ngjyrat dhe modelin e uniformave, këtë vit Parlamenti i Nxënësve ka ndërmarrë një proces gjithëpërfshirës. Përfaqësuesit e tij kanë vizituar të gjitha klasat e ciklit të lartë, përfshirë edhe paralelet e ndara, për të mbledhur mendimet dhe propozimet e bashkëmoshatarëve të tyre.

Propozimi përfundimtar i nxënësve është shqyrtuar dhe miratuar nga Këshilli i Prindërve dhe Këshilli i Arsimtarëve.

Për të lehtësuar procesin e porosisë, Parlamenti i Nxënësve ka bashkëpunuar me Studio IKS, ku prindërit mund t’i porosisin uniformat sipas orarit të përcaktuar:

  • E hënë: klasa e tetë dhe e katërt
  • E martë: klasa e shtatë dhe e tretë
  • E mërkurë: klasa e gjashtë dhe e dytë
  • E enjte: klasa e pestë dhe e parë

Nxënësit e ciklit të lartë do t’i bëjnë porositë pas mësimit, ndërsa ata të ciklit të ulët para mësimit.

Po ashtu, nxënësit që i kanë uniformat e vitit të kaluar (ngjyrë kaltër dhe e kuqe) mund të vazhdojnë t’i përdorin ato, nëse janë në gjendje të mirë.

Prindërit që dëshirojnë t’i blejnë uniformat në vende të tjera janë të lirë ta bëjnë këtë, me kusht që ato të kenë ngjyrë dhe prerje të ngjashme, si dhe logon e shtypur të shkollës.

Në njoftim është theksuar edhe një nismë e bukur solidariteti: disa prindër tashmë kanë shprehur gatishmërinë për të ndihmuar nxënësit që nuk kanë mundësi ekonomike për të blerë uniformat.

Shkolla ka bërë të ditur se kontributet mund të dorëzohen drejtpërdrejt pranë shkollës, ndërsa emrat e kontribuesve do të publikohen si shenjë falënderimi dhe transparence.

“Çdo përkrahje dhe kontribut është i mirëseardhur dhe vlerësohet lart,” thuhet në njoftimin e shkollës.

ARTIKUJT E NGJASHËM

Deklarata e Bislimit nxit reagime të forta në Luginën e Preshevës

PreshevaPRESS

Presheva në fokus të Shqipërisë: Sabedini takohet me Ambasadorin Canaj për projekte zhvillimore

PreshevaPRESS

Bislimi alarmon BE-në: Serbia po përdor administratën për të bllokuar shqiptarët në Luginë

PreshevaPRESS