Udhëtimet e stafit të Bibliotekës “Mehmet Jusufi” nuk kanë të ndalur, kësaj here vizituan Tiranën

Përfaqësues nga Biblioteka “Mehmet Jusufi” në Preshevë kanë zhvilluar një vizitë zyrtare në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, në qendrën “Sotir Kolea”, me qëllim forcimin e bashkëpunimit profesional dhe shkëmbimin e përvojave në fushën e bibliotekarisë.


Delegacioni nga Presheva u prit nga znj. Majlinda Toçi dhe stafi i institucionit, të cilët prezantuan funksionimin e strukturave të bibliotekës, organizimin e fondit dokumentar, si dhe projektet aktuale për zhvillimin e shërbimeve bibliotekare në nivel kombëtar. Gjatë takimit u diskutua për mënyrat moderne të menaxhimit të burimeve dhe standardet bashkëkohore në punën bibliotekare.

Vizita përfshiu edhe një tour informues në ambientet e Bibliotekës Kombëtare, ku përfaqësuesit e Bibliotekës “Mehmet Jusufi” u njohën nga afër me procesin e digjitalizimit të materialeve, me laboratorin e restaurimit dhe me programet që synojnë promovimin e leximit te publiku i gjerë.

Nga Biblioteka “Mehmet Jusufi” u vlerësua se ky takim përbën një mundësi të rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit institucional dhe identifikimin e fushave të reja të veprimit të përbashkët, me fokus përmirësimin e shërbimeve ndaj lexuesve dhe zhvillimin profesional të stafit.

Në emër të drejtoreshës Albina Azizi, institucioni nga Presheva i shprehu mirënjohje Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë dhe znj. Majlinda Toçi për pritjen dhe gatishmërinë për bashkëpunim, duke theksuar angazhimin për vazhdimin e dialogut dhe projekteve të përbashkëta në të ardhmen.

ARTIKUJT E NGJASHËM

Ka përfunduar procesi vlerësues i projekteve të mediave në konkursin e KKSH-së

PreshevaPRESS

Lugina e Preshevës në fokusin e Kongresit Amerikan / Kamberi: Një kapitull i ri

PreshevaPRESS

Kryeimami i Këshillit të Bashkësisë Islame në Bujanoc dorëhiqet pas 28 vitesh në këtë pozitë

PreshevaPRESS